Qeveria jep 50 mijë euro për familjen e policit Afrim Bunjaku

Qeveria e Kosovës ka marrë vendim për të ndarë një shumë mjetesh prej 50 mijë euro për familjen e policit të vrarë në Banjskë, Afrim Bunjaku.

“Si shtet do të jemi gjithmonë pranë familjes, e cila na dha një hero, një dëshmor, i cili forcon themelet e shtetit tonë.

Në mbështetje të familjes së Afrim Bunjakut, propozoj që të ndahen 50 mijë euro, shumë e cila ndahet nga mjetet ‘shpenzime të paparashikuara’, tha ministri Hekuran Murati.

Policia e Kosovës u sulmua më 24 shtator nga një grup personash të maskuar dhe të armatosur në fshatin Banjskë, ku mbeti i vrarë polici Afrim Bunjaku, ndërsa disa të tjerë u plagosën.

Në shkëmbimin e zjarrit që pasoi, policia vrau tre sulmues të nacionalitetit serb, ndërsa gjashtë prej tyre u arrestuan. Një ditë më vonë, më 25 shtator, dy të tjerë u arrestuan në Banjskë.

Policia e Kosovës, gjatë kontrollit në zonën përreth Banjskës, gjeti një arsenal të madh armësh të rënda./Periskopi