Qeveria Kurti e mangët në procedimin e ligjeve në Kuvend, vetëm ai për buxhetin është miratuar

Ligji për Buxhetin është i vetmi që deputetët e legjislaturës së shtatë të Kuvendit të Kosovës kanë miratuar. Ndonëse për rreth pesëdhjetë ditë Qeveria Kurti ishte me kompetenca të plota, ata nuk kanë mundur të dërgojnë agjendën legjislative për miratim në parlament. Në ekzekutiv arsyetohet me shkarkimin dhe kohën e shkurtër sa ishin të “plotfuqishëm”. Derisa analistët politikë thonë se Qeveria në detyrë nuk ka të drejtë dhe mandat të procedojë iniciativa ligjore.

Ministrja në detyrë e Drejtësisë, Albulena Haxhiu thotë për KosovaPress se ndër arsyet pse nuk kanë mundur të dërgojnë ligje në Kuvend janë vonesa e programit qeverisës dhe agjendës legjislative.

“Ne nuk e kemi pasur programin qeverisës të miratuar në Qeverinë e Kosovës dhe as agjendën legjislative e cila votohet në Kuvendin e Kosovës. Duke mos pasur këto dy dokumente sepse ishim duke harmonizuar programin qeverisës me gjitha dikasteret. Ndodhi mocioni për shkarkimin e qeverisë dhe u bë situata kështu si u bë”, thotë ajo.

Mungesën e inicimit të ligjeve në Kuvend, analisti politik, Rasim Aliaj e ndërlidh edhe me marrjen e posteve ekzekutive të figurave kyçe si Glauk Konjufca e Albulena Haxhiu. Sipas tij, edhe vet deputetët e grupit parlamentar të VV-së, duhet të merrnin iniciativa ligjore.

“Gjatë gjithë kësaj kohe legjislatura e shtatë ka arritur që me procedua dhe votua vetëm amendamentet ose Ligjin për Buxhetin. Kjo shihet mjaft mirë që ka të bëj me një lloj anemie të vet punës së deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje. Kjo me gjasë të madhe ka të bëj edhe me marrjen e posteve të figurave kryesore siç është Glauk Konjufca dhe Albulena Haxhiu”, u shpreh Aliaj.

Ndërsa, drejtori i IKD-së, Ehat Miftaraj thotë për KosovaPress se qeveria në detyrë e kryeministrit Kurti nuk mund të ushtrojë kompetencat legjislative në Kuvend.

“Një qeveri në detyrë nuk ka të drejt dhe mandat për të dërguar iniciativa ligjore në Kuvend. Në momentin kur një qeveri nuk ka të drejtë dhe nuk mundet të ushtrojë një kompetencë të tillë, ndikon që kjo qeveri nuk është në gjendje të dërgojë plan-programin qeverisës, i cili është baza e një qeverie për zbatuar ato që i ka premtuar gjatë fushatës. Në një rrethanë të tillë kur qeveria nuk mund të i ushtrojë kompetencat e veta, ose kuvendi është jofunksional, nuk mundet të ushtrojë mandatin e tij sigurisht duhet gjetur një rrugëdalje”, thotë ai.

Mungesa e miratimit të ligjeve në Kuvend ka shkaktuar dëme edhe në luftën ndaj pandemisë. Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani ka mbi një muaj që po kërkon hartimin e një Ligji për parandalimin e Covid 19, por një gjë e tillë po pamundësohet nga opozita.