Qeveria Kurti heq nga plani legjislativ ndryshimin e ligjit për zgjedhje lokale

Qeveria e Kosovës e ka heq nga plani legjislativ i këtij viti plotësim-ndryshimin për zgjedhjet lokale të cilin fillimisht e kishte planifikuar ta bënte. E gjithë kjo u bë pas reagimeve që kjo të mos bëhej pasi vendi këtë vjeshtë do t’i nënshtrohet procesit lokal zgjedhor. Në KDI thonë se duhet të shihet mundësia që me ndryshimet ligjore në të ardhmen të bëhet votimi në bllok i kryetarit dhe nënkryetarit në mënyrë që të shmangen zgjedhjet e parakohshme nëpër komuna kur jep dorëheqje kryetari.

Ligji për Zgjedhje Lokale ishte planifikuar nga qeveria që të plotësohej e ndryshohej si i 126 në agjendë legjislative të publikuar në fillim. Por pak ditë pas ky planifikim nuk figuron në publikimin final në faqen zyrtare të qeverisë meqë i njëjti është hequr nga agjenda legjislative për këtë vit.

Ishte Asociacioni i Komunave të Kosovës që i kërkoi kryeministrit dhe Ministrit të Pushtetit Lokal që ndryshimet të mos ndodhin tash kur për pak muaj Kosova do të ketë proces zgjedhjesh lokale.

Deri në vitin 2007 komunat nuk kanë pasur kryetar por vetëm kryetar Kuvendesh komunale, kryeshef ekzekutiv me kompetenca të njëjta që sot kanë 38 kryetarët e komunave.

Eugen Cakolli nga KDI thotë se ndryshimi i ligjit për zgjedhje lokale duhet të bëhet në detaje.

Sipas tij duhet të shihet mundësia e votimit në bllok të kryetarit dhe nënkryetarit dhe kështu do të shmangeshin zgjedhjet e jashtëzakonshme në një komunë ku jep dorëheqje kryetari.

Në vjeshtë pritet të mbahet procesi lokal zgjedhor i dyti proces pas atij të parakohshëm për zgjedhje në nivel vendi./rtk