Qeveria thotë se ka ndarë 1.5 milionë euro për komunitetet, ish-deputetët me akuza për dështim

0
122

Komuniteti jo-shumicë në Kosovë, vazhdon të përballet me kushte të rënda.

Sfidë për ta mbetet, punësimi, arsimi, e përfshirja në institucionet shtetërore , pavarësisht se ligji iu garanton punësim të barabartë.

Për ta përmirësuar jetën e komuniteteve jo-shumicë në Kosovë, zyra për Çështje të Komuniteteve brenda Zyrës së Kryeministrit ka ndarë rreth 1.5 milionë euro.

Zëdhënësi për media i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu, për FrontOnline, tha se janë përzgjedhur 16 OJQ, për aktivitete të ndryshme që kanë të bëjnë me komunitete.

“Vetëm në katër muajt e fundit janë ndarë rreth 1.5 milionë euro për grante për komunitetet përmes Zyrës për Çështje te Komuniteteve brenda Zyrës se Kryeministrit. Thirrja e parë ishte për aktivitete kulturore për komunitete. Nga kjo thirrje janë përzgjedhur 16 OJQ”, tha ai.

Kryeziu tha se gjatë muajve të verës do të ketë edhe thirrje tjera për t’u dalë në ndihmë komuniteteve.

“Gjatë verës do të dalë edhe një thirrje për trajnime, praktikë dhe zgjerim të bizneseve me qëllim sigurimin e punësimit më të lartë të pjesëtarëve të komuniteteve”, u shpreh ai.

Ndërsa për komunitetin serb, ai tha se kanë filluar themelimin e Njësisë për Përkthim dhe Harmonizim brenda Zyrës së Kryeministrit me qëllim që përkthimet e ligjeve dhe të akteve nënligjore të jenë më cilësore, duke u ofruar atyre mundësi më të para për drejtësi para ligjit.

“Për komunitete që flasin gjuhen serbe, Zyra e Kryeministrit ka filluar themelimin e Njësisë për Përkthim dhe Harmonizim brenda Zyrës së Kryeministrit me qëllim që përkthimet e ligjeve dhe të akteve nënligjore të jenë më cilësore, duke u ofruar atyre mundësi më të para për drejtësi para ligjit” u shpreh ai.

Ndërsa për ta përmirësuar gjendjen në fushën e arsimit për komunitetet jo-shumicë në Kosovë, Kryeziu thotë se Qeveria ka ndarë 500 bursa për studentë nga këto komunitete dhe se përmes një marrëveshje që është nënshkruar nga MASHT dhe Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal do të mbështesin 100 mësues të rinj rom, ashkali dhe egjiptian.

“Si ndihme specifike për arsimimin e komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian, qeveria ka ndarë 500 bursa për studentë nga këto komunitete. Gjithashtu, Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal ka nënshkruar marrëveshje me Ministrinë e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit për bursa që do të mbështesin 100 mësues të rinj rom, ashkali dhe egjiptian”, u shpreh ai.

Numri i të punësuarve nga komunitetet jo-shumicë në institucionet e Kosovës është shumë i vogël, e për ta nxitur punësimi e komuniteteve, Qeveria e Kosovës, ka vendosur që ta themelojë mekanizëm për punësimin e komuniteteve jo-shumicë.

“Me datën 1 qershor, Qeveria ka miratuar vendimin për themelimin e Ekipit Ndërinstitucional për nxitjen dhe promovimin e punës për komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian. Ndërinstitucional përbëhet nga përfaqësim politik i kabinetit të Kryeministrit por edhe përfaqësuese të MAPL-se, Ministrisë se Financave, Ministria për Komunitete dhe Kthim, shoqëria civile dhe te tjera. Njëra ndër pikat e Vendimit është mbledhja e të dhënave vjetore për punësim në institucione publike për këto tri komunitete. Mbi bazën e këtyre të dhënave, mund të ndermirën hapat e nevojshëm. Gjithashtu në këtë Vendim kërkohet nga komunat që të realizojnë punësimin e pjesëtarëve të komuniteteve sipas kuotave”, tha Kryeziu.

Ish-deputeti Berisha: Qeveria nuk po bën asgjë për komunitete, njerëzit po presin në radhë për ushqim si në kohë lufte

Por, skeptik për punën e Qeverisë për komunitetet jo-shumicë në Kosovë është ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës nga komuniteti egjiptian, Veton Berisha.

Ai për FrontOnline, tha se Qeveria “Kurti”, nuk ka bërë asnjë aktivitet zhvillimor për të ndryshuar gjendjen e komuniteteve.

“Unë nuk njohë ndonjë aktivitet që është bërë zhvillimor që ka pas impakt të ndryshimit të gjendjes së komuniteteve në këtë rast komunitetit egjiptian. Komunitetet janë sjellë në një situatë të varfërisë ekstreme duke investuar Qeveria në disa kuzhina humanitare, njerëzit po shkojnë me marrë ushqim si në kohë të luftës, kjo është gjendja e komunitetit tonë”, tha ai për Front Online.

Ish-deputeti, Berisha, tha se për dy vite me radhë janë ndalë edhe projektet për ndërtimin e shtëpive për komunitete.

“Të gjitha projektet që kanë nisur më herët, si shkollimi, ndërtimi i shtëpive, të gjitha janë ndërpre në për një hetim që për dy vite më radhë nuk ka ndodhur asgjë. Mendimi jem është se Qeveria nuk ka qasje zhvillimore për komunitete në Kosovës për komunitetin egjiptian më së pakti”, deklaroi Berisha.

Berisha tha se nëse Qeveria nuk ndërmerr diçka për komunitete, çdo anëtarë i familjes është duke e shqyrtuar mundësinë të largohet nga Kosova.

“Pjesa e arsimimit ka dalë jashtë kontrollit ju e keni par çfarë diskriminimi është bërë më nxënësit, ka rikthim braktisje të shkollës, punësimi është në nivelin e mundshëm nuk ka ndonjë plan për zhvillimin e komuniteteve dhe me dhanë shpresë që me veprime konkrete që komuniteti me pa vetën stabil në Kosovë, pasi që secili anëtar i familjes është duke e shqyrtuar mundësinë të largohet nga këtu, janë zotuar qe kanë me punuar, por deri në këto momente vetëm është vështirësuar situata”, u shpreh ai për Front Online.

Deputeti Kervan: Është duke u përgatitur strategjia për komunitete

E mendim ndryshe për punën e Qeverisë për komunitete ka deputeti i Kuvendit të Kosovës, nga komuniteti turk, Enis Kervan.

Ai për FrontOnline, tha se është duke u përgatitur strategjia për komunitete dhe se në çdo fushë janë bërë punime.

“Mendoj qe është duke punuar për komunitete, në zyrën e komuniteteve po vazhdojnë punimet. Është duke u përgatitur strategjia për komunitete. Sidomos për komunitetet RAE në çdo fushe janë bërë punime”, tha Kervan për Front Online.

Karvan tha se të gjitha kërkesat e tyre janë përfshi në programin e Qeverisë “Kurti”, dhe se presin që të realizohen.

“Ne jemi pjesë e Qeverisë dhe e kemi votuar programin e Qeverisë. Prandaj të gjitha pritjet tona janë përfshirë në programin e Qeverisë “Kurti” dhe do t’i realizojmë te gjitha me bashkëpunim”, deklaroi deputeti Kervan.