Rama përkrah grevistët: Kërkesa e Qeverisë për t`i nxjerrë ata nga lista e pagave, është e kundërligjshme

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama nëpërmjet një shkrimi në facebook, ka kërkuar nga qeveria e Kosovës dhe sindikatat që të mos e ndërpresin dialogun, pasi që sipas tij, institucionet arsimore kanë të drejtë të vihen në grevë, duke shtuar se kërkesa e Qeverisë për t`i nxjerrë ata nga lista e pagave, është e kundërligjshme.

“Është e drejtë e institucioneve arsimore dhe të administratës që të vihen në grevë. Pandemia dhe, pas saj, lufta në Ukrainë, bënë që të rriten të gjitha çmimet. Vetëm pagat mbetën të njëjtat.”, ka thënë Rama.

Postimi i plotë:

Është e drejtë e institucioneve arsimore dhe të administratës që të vihen në grevë. Pandemia dhe, pas saj, lufta në Ukrainë, bënë që të rriten të gjitha çmimet. Vetëm pagat mbetën të njëjtat.

Kërkesa e Qeverisë së Kosovës drejtuar Drejtorive Komunale të Arsimit për t’ua nisë listat e mësimdhënësve grevistë, që t’i nxjerrë ata nga lista e pagave, është e kundërligjshme. Por është e drejtë legjitime e Qeverisë që të kërkojë që mësimdhënësit t’i nënshtrohen testit të rivlerësimit, proces ky që duhet të ishte ndërmarrë që moti.

Ndërkohë, shtatori veçse erdhi, e nxënësit duhet patjetër t’u kthehen bankave shkollore, kurse punonjësit administratës. Është prandaj imperative që bashkimi i sindikatave dhe Qeveria të mos e ndërpresin dialogun dhe të gjejnë një kompromis sa më parë.

#kryeqyteti