Ramadani: Rastet e reja me Covid-19, pasojë e mos respektimit të rekomandimeve të IKSHPK’së

Drejtori i Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik të Kosovës, Naser Ramadani, ka thënë se në gjashtë komuna të vendit ka rritje të rasteve me Covid-19 por se situata është në kontroll.

Ai në një konferencë për media u ka bërë thirrje qytetarëve që të respektojnë dhe zbatojnë të gjithë rekomandimet e IKSHPK-së dhe MSH-së për parandalimin e përhapjes së koronavirusit.

“Kemi ardhur deri në këtë pikë ku të kemi situatën nën kontroll ku kemi regjistruar të gjitha rastet, kemi regjistruar të gjitha kontaktet të mbikëqyrim të gjitha vatrat epidemiologjike në tërë territorin e Kosovës. Ky sukses është sukses i jashtëzakonshëm në të cilin ne gjendemi”.

“Ju lus të gjithë qytetarëve që të mos e neglizhoni virusin duke thënë se ai nuk ekziston, virusi është në mesin tonë. Këtë ua them me përgjegjësinë morale dhe etike”.

“Domosdoshmërisht duhet të bartni maska gjatë lëvizjes suaj për shkak të mos përhapjes së Covid-19, situata deri tani ka qenë në kontroll”.

“Duhet të vazhdoni me respektimin e masave të rekomanduara”, ka thënë Ramadani.