Rasti i rëndë në Podujevë, arrestohet një person që dyshohet se ishte bashkë me dorasin

Podujeva sot u trondit nga vrasja e rëndë që ndodhi në pikë të ditës, në rrugën “Zahir Pajaziti”, ku si pasojë e të shtënave me armë, një person mbeti i vrarë, teka gruaja e tij u plagos. Viktima Valmir Breznica u qëllua me armë zjarri, për motive akoma të panjohura. Policia në koordinim me Prokurorinë kanë nisur hetimet, ndërkohë që ende s’është kapur personi që e ekzekutoi të riun, raporton Gazeta Sinjali.

Burimet e Sinjalit brenda Prokurorisë bëjnë të ditur se është arrestuar një person që dyshohet se ka qenë bashkë me dorasin.

Personi që mbeti i vrarë Valmir Breznica, i cili njihej me nofkën “Dhija” nuk arriti t’iu bëjë ballë plagëve dhe ndërroi jetë në vendin e ngjarjes, ku ekipi mjekësor e ka konfirmuar vdekjen e tij. Ndërsa bashkëshortja e tij, e cila u plagos, është dërguar në spital për trajtim mjekësor.

Sinjalizuesit e Sinjalit kanë bërë me dije se gruaja që u plagos ka qenë bashkë me burrin e saj në momentin kritik, ashtu që posa ka nisur të vrapojë kur janë dëgjuar të shtënat, është qëlluar edhe ajo, por fatmirësisht ka shpëtuar.

Ndërkohë, Raporto24 ka publikuar disa fotografi, ku shihet personi i dyshuar duke nxjerrë armën, me të cilën vrau më pas të riun.

Lidhur me incidentin tragjik janë deklaruar edhe nga Policia e Kosovës, me ç’rast kanë bërë të ditur se po ndërmarrin veprimet e nevojshme për identifikimin e personave të dyshuar.

“Sot rreth orës 12:30, është raportuar për gjuajtje me armë zjarri, në rrugën “Zahir Pajaziti” në Podujevë. Policia menjëherë ka dalë në vendin e ngjarjes dhe nga informacionet e para të marra nga mjekët emergjent është konfirmuar se një person është pa shenja jete ndërkaq një tjetër ka mbetur i plagosur.

Aktualisht policia po vijon punën me veprime të ekzaminimit të vendngjarjes si dhe me veprime të tjera operativo-hetimore, me qëllim të zbardhjes së rrethanave të ngjarjes si dhe identifikimin e të dyshuarve.”, thuhet në përgjigjen e Policisë.