Reagojnë SHBA-të, u kërkojnë partive politike ta zbatojnë vendimin e Gjykatës

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë reaguar lidhur me çështjen e vendimit të Gjykatës Kushtetuese për zgjedhjen e qeverisë së re pas mocionit të votëbesimit.

SHBA’të u bëjnë thirrje të gjitha partive politike t’i zbatojnë vendimet e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës.

“Deklaratë e Sh.B.A-ve për vendimin e Gjykatës Kushtetuese Shtetet e Bashkuara u bëjnë thirrje të gjitha institucioneve dhe partive politike të zbatojnë vendimin e sotëm dhe të gjitha vendimet e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës. Ne kërkojmë nga të gjithë liderët të punojnë së bashku për një tranzicion të rregullt në interes të paqes, stabilitetit dhe prosperitetit për të gjithë qytetarët e Kosovës”, thuhet në reagim.

Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka vendosur me votë unanime që vendi nuk shkon në zgjedhje pas mocionit të mosbesimit, por hapet rruga për krijimin e qeverisë së re. Sipas këtij vendimi, kandidati për kryeministër nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, mund ta formojë qeverinë. Derisa, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, nuk e ka shkelur kushtetutën.