Reagon Veseli pas tërheqjes se SHBA-ve nga Bordi i Agjencisë së Pronës

Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, njoftoi se është tërhequr nga bordi i Agjencisë Kosovare për Krahasim dhe Verifikim të Pronës, pasi shfaqën hapur kundërshtimin e tyre që Naser Shala të udhëheqë me këtë agjenci.

Lidhur me këtë ka reaguar kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, i cili ka shkruar se dorëheqja e miqve tanë amerikanë dhe britanikë nga Bordi i Agjencisë Kosovare të Krahasimit dhe Verifikimit të Pronës është një lajm i keq për Kosovën dhe duhet të alarmohemi të gjithë.

“Nepotizmi jo vetëm që po e dëmton shtetin tonë dhe po i detyron të rinjtë të ikin nga vendi, por edhe po i cenon rëndë edhe marrëdhëniet jetësore me aleatët tanë më të ngushtë”, ka shkruar Veseli.

Statusi i plotë i Veselit në Facebook:

“Dorëheqja e miqve tanë amerikanë dhe britanikë nga Bordi i Agjencisë Kosovare të Krahasimit dhe Verifikimit të Pronës është një lajm i keq për Kosovën dhe duhet të alarmohemi të gjithë. Liria, pavarësia dhe proceset e shtetndërtimit të Kosovës janë arritur vetëm falë mbështetjes së pakursyer të aleatëve dhe, po ashtu, vetëm me ndihmën e tyre mund t’i përballim sfidat që kemi përpara.

Nepotizmi jo vetëm që po e dëmton shtetin tonë dhe po i detyron të rinjtë të ikin nga vendi, por edhe po i cenon rëndë edhe marrëdhëniet jetësore me aleatët tanë më të ngushtë. Kjo ngjarje është dëshmi e qartë se lufta ndaj nepotizmit dhe korrupsionit është një domosdoshmëri, prandaj unë e kam nisur këtë luftë me një vendosmëri të madhe dhe do t’i shkoj deri në fund. Për të ndërtuar një të ardhme më të mirë për Kosovën, ne duhet të luftojmë pakompromis korrupsionin.”