Rohde demanton raportimet se “200 kompani gjermane paralajmërojnë ikjen nga Kosova”

Oda Ekonomike Gjermano-Kosovare ka deklaruar të martën se “nga burime të ndryshme ka marrë informacionin e qarkullimit të një lajmi të rrejshëm me titull ‘E frikshme: Afër 200 kompani gjermane paralajmërojnë ikjen nga Kosova për shkak të situatës së sigurisë’”.

Për këtë rast, OEGJK tha se sheh të arsyeshme të demantojë këtë lajm të rrejshëm.

“Ne i referohemi komunikatës tonë për shtyp, të publikuar më 15 qershor 2023”, thuhet në reagimin e kësaj ode. Ndaj ngjarjes në fjalë ka reaguar edhe vetë ambasadori gjerman në Kosovë, Jorn Rohde.

Sipas tij, raportimet e mediave për largimin e 200 kompanive gjermane nga Kosova janë krejtësisht të gabuara.

Por, ai shtoi se e vërtetë është se kompanitë gjermane janë të shqetësuara nga zhvillimet aktuale, veçmas pas tensioneve në veri të Kosovës.

“Mosrespektimi i standardeve gazetareske: As Oda Ekonomike Gjermano-Kosovare dhe as 🇩🇪 Ambasada nuk është pyetur nëse kjo është e vërtetë. Çfarë është e vërtetë: Kompanitë janë të shqetësuara për zhvillimet aktuale”, ka shkruar ai në Twitter.