Rrëfimi i dhimbshëm i tragjedisë në Gadime të Lipjanit

As një metër nuk i ndan nga vendi ku ata dy do të pushojnë përjetësisht. Babë e bir nga fshati Gadime e Poshtme e Komunës së Lipjanit, u varrosën brenda katër ditëve. Nevzat Aliu, 56 vjeç, e humbi jetën pas një beteje njëvjeçare me kancerin, e i biri i tij i vetëm, Shqipdoni, 24 vjeç, po dyshohet se kreu vetëvrasje pak ditë pasi e humbi babanë. Shqipdoni u gjet pa shenja jetë në mbrëmjen e së hënës në vendin ku prindi i tij i ndjerë kishte punuar për vite me radhë, në gurthyesin e Gadimes. Gazeta Express sot ka qëndruar në shtëpinë e këtyre dy viktimave. Nga aty sjell rrëfimin e dhimbshëm të familjarëve për gjithë ngjarjen.

E mbyllën një të pame, e menjëherë pas saj e hapën tjetrën. Një histori e trishtueshme e ka përcjellë familjen Aliu nga fshati Gadime e Poshtme e komunës së Lipjanit. Kryefamiljari i kësaj familjeje, Nevzat Aliu, para një viti u diagnostikua me kancer. Me këtë sëmundje të rëndë luftoi për më shumë se 12 muaj.

Por kur gjendja e tij shëndetësore kishte filluar t’i përkeqësohej, kishte qenë djali i tij i hasretit, Shqipdoni, ai i cili po e përjetonte më së rëndi gjithë sëmundjen e babait, i cili i ndërroi jetë në javën e tretë të muajit tetor.

Babai i Shqipdonit, Nevzati, kishte qenë në ditët e fundit të jetës së tij, në momentin kur i biri, Shqipdoni, doli nga shtëpia për të mos u kthyer më. Momentet e fundit të jetës së prindit siç duket ai nuk mundi t’i përjetonte.

Më 14 tetor kishte dalë nga shtëpia, e aty Shqipdoni u kthye vetëm pas 10 ditëve, por fatkeqësisht i vdekur.

Gazeta Express, sot ka qëndruar në Gadime të ulët. Aty ku familja po e mbante ditën e parë të së pamës për djalin e tyre të vdekur.

Familja e Shqipdonit nuk po beson se birin e saj mund ta ketë vrarë dikush. Sipas saj, gjendja emocionale e Shqipdonit, kohëve të fundit ka qenë pak e trishtuar. Kjo për arsyen e vetme, sipas familjes, të sëmundjes së babait.

Familjarët deklarojnë se me aq sa dinë, djali i tyre nuk kishte pasur probleme me askënd.

“As vetë nuk po e kuptojmë se si ka ndodhë e gjithë kjo ngjarje. Djali ka dalë prej shtëpisë më 14 tetor. Na kishte thënë se po del me e kry një punë. Por nga ai moment më nuk u kthy. Ka qenë i mërzitur, se babën e vet e kanë diagnostiku me kancer para një kohe”, ka deklaruar daja i tashmë të ndjerit.

E Shqipdoni u gjet pa shenja jete në vendin ku pikërisht kishte punuar për vite me radhë prindi i tij, i cili tashmë ka vdekur, në gurthyesin në Gadime.

Familja e tij po beson se djali ka kryer vetëvrasje.

“Po e presim policinë. Po thonë që ka kry vetëvrasje, mund të jetë e vërtetë. Ai e ka dashtë shumë babën e vet. U kanë djalë hasreti”, tregon familjari i 24-vjeçarit të ndjerë.

E, i ndjeri Shqipdon Aliu siç duket pas vetes ka lënë disa mesazhe. Sipas banorëve të fshatit, në disa incizime që ai i ka lënë në telefon thuhet se përmes tyre i ka shprehur dashurinë prindërve të tij dhe se ka treguar gjendjen e rëndë emocionale.

“Ju kam dashtë. Zemra më është therë”, besohet se janë mesazhet që Shqipdoni ia kishte përçuar familjes. E në vendin ku u gjet pa shenja jete Shqipdoni, banorët kanë hasur në telefonin e tij, një shkrepëse dhe një paketë të thatë me cigare.

Me gjithë këtë rast, tashmë është duke u marrë edhe Prokuroria e Shtetit. Ndërkohë autopsia tashmë i është bërë trupit të pajetë të Shqipdonit 24 vjeç.

Rezultati i saj pritet të bëhet publik gjatë kësaj jave.

Shqipdoni ishte djali i vetëm i familjes Aliu. Prindi i tij, Nevzati, ndërroi jetë para pak ditëve. Ata lanë pas një vajzë 10-vjeçare dhe gruan. Nga rrethi i tij, Shqipdoni është shquar si djalë punëtor dhe me sjellje shembullore. Kishte punuar për vite me radhë si dizajner grafik. /Gentiana HASANI/, /Gazeta Express/.