RTK-ja i nënshtrohet auditimit publik pas shumë vjetësh

Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) ka filluar auditimin e performancës dhe auditimin e Pasqyrave Financiare Vjetore (PFV) të Radio Televizionit të Kosovës (RTK-së).

Auditimi i Pasqyrave Vjetore Fnanciare të RTK-së së fundi është kryer nga ZKA-ja në vitin 2010. Që nga atëherë është kryer nga një auditor i jashtëm, të cilin RTK-ja e ka përzgjedhur me procedura prokurimi. Përderisa, raporti i fundit i auditimit të performancës së RTK-së nga ZKA-ja është publikuar në vitin 2015.

“Prandaj, duke e pasur parasysh kohën e gjatë që ZKA-ja nuk ka kryer një auditim të RTK-së dhe vlerën e lartë monetare me të cilën buxheti i Kosovës e financon këtë medium publik, vlerësohet se ky auditim është me interes për publikun dhe Kuvendin e Republikës së Kosovës. Objektivë e auditimit të pasqyrave financiare të RTK-së për vitin 2021 është të ofrohet siguri e arsyeshme nëse pasqyrat financiare si tërësi nuk përmbajnë keqdeklarime materiale, qoftë për shkak të mashtrimit ose gabimit dhe të hartojmë një raport të auditimit që përfshin opinionin tonë”, thuhet nga ZKA-ja.

ZKA-ja ka thënë se do të testojë se nëse transaksionet e kryera nga organizata janë në përputhje me kornizën ligjore në të cilën vepron. E sa i përket performancës do të vlerësohet nëse RTK-ja ka menaxhuar në mënyrë të duhur fondet publike.

“Kjo nënkupton marrje të sigurisë se transaksionet janë në përputhje me autoritetet e duhura, duke përfshirë kornizën statutore të organizatës. Objektivi tjetër në këtë auditim është të shprehim një konkluzion të auditimit për pajtueshmërinë e autoriteteve përkatëse të RTK-së me kriteret e përcaktuara të auditimit që burojnë nga legjislacioni i zbatueshëm në kontekstin e përdorimit të burimeve financiare, lidhur me subjektin e audituar. Ndërsa, sa i përket auditimit të performancës, objektivë e auditimit është të vlerësohet nëse RTK-ja ka menaxhuar në mënyrë të duhur fondet publike. Ky auditim i performancës do të mbuloj aspektin e burimeve njerëzore, duke përfshirë stafin aktual, nevojat për rekrutim të stafit shtesë, angazhimin e bashkëpunëtorëve të jashtëm dhe kontraktimin e programeve të prodhuara vendore. Auditimi do të fokusohet në këtë fushë, duke pasur parasysh se pjesa më e madhe e buxhetit vjetor të RTK-së shpenzohet në kategorinë e pagave dhe mëditjeve”, thuhet nga ZKA-ja.

ZKA-ja ka shtuar se auditimet do të kryhen sipas standardeve ndërkombëtare të institucioneve supreme të auditimit.

“Përmes këtyre auditimeve synohet rritja e llogaridhënies, transparencës dhe integritetit të aktiviteteve në aspektin e burimeve njerëzore, angazhimin e bashkëpunëtorëve të jashtëm dhe kontraktimin e programeve të prodhuara vendore të RTK-së. Aty ku do të konsiderohet e nevojshme auditimi do të ofroj rekomandime që fondet publike të shfrytëzohen në mënyrë më efektive dhe efikase dhe të arrijnë qëllimet e synuara për përmirësimin e nivelit të përgjithshëm të performancës së RTK-së. RTK-ja është transmetues publik i Kosovës, person juridik jo-profitabil me status të institucionit të pavarur publik, me rëndësi të posaçme, i cili ofron shërbime për publikun në fushën e veprimtarisë mediale”, thuhet nga ZKA.

RTK-ja në vitin 2020 nga buxheti i shtetit është financuar me 11.2 milionë euro dhe buxheti i planifikuar nga të hyrat vetanake për këtë vit ishte 1.812.000 euro. Ndërkohë shpenzimet e RTK-së për vitin 2020 ishin 12.591.000 euro.