PDK paralajmëron bojkotim të punës në kuvend, nëse nuk lejohet formimi i komisionit hetimor

Abelard Tahiri, shefi i GP të PDK-së i vendosi kushte LVV-së në pushtet me votimin e mocionit për formimin e Komisionit Hetimor, me bojkotim të punës në kuvend.

Ai tha se opozita mund të ndërmarrë masa ekstreme, të cilat përfshijnë bojkotimin e votimit të marrëveshjeve ndërkombëtare, në qoftë se shumica parlamentare pengon formimin e komisionit.

“Pra, mos me prishë harmoninë e këtij Kuvendi, votimin e marrëveshjeve ndërkombëtare, ne si GP i PDK-së, duke qenë në opozitë dhe konstruktivë, si në votimin e marrëveshjeve tjera, i kërkojmë mazhorancës, që të përkrahë me votë vendosjen në rendin e ditës të këtij mocioni procedural themelimin e komisionit hetimor. Përndryshe, do të hymë në një cikël jo të mirë të punës sonë si Kuvend si mos-votimi i marrëveshjeve ndërkombëtare, mos-votimi i ligjeve nga ana e opozitës dhe nuk besoj që kjo i intereson dikujt. Ky komision hetimor është i rëndësishëm pasi kemi parë shumë parregullsi”, tha Tahiri.