Sa harxhojnë kandidatët për deputetë dhe partitë politike për fushatë?

Partive politike nuk u mjaftojnë 4.2 milionë euro që i marrin çdo vit nga buxheti i shtetit, që t’i mbulojnë shpenzimet e tyre të mëdha që ato bëjnë vetëm gjatë fushatave elektorale. Por, jo edhe të gjithë kandidatë për deputetë kanë mbështetje financiare. Ardian Kastrati është njëri nga ta. Kastrati nuk ka shpenzuar asnjë euro për marketing për fushatën zgjedhore.

Derisa fushatës së partive politike i kanë mbetur vetëm edhe disa orë deri në përmbyllje e saj, partitë politike kanë shpenzuar shumë para në promovimin e kandidatëve të tyre në garën për deputetë për zgjedhjet e 14 shkurtit 2021.

Në një artikull të Radio Evropa e Lirë thuhet se partive politike nuk u mjaftojnë 4.2 milionë euro që i marrin çdo vit nga buxheti i shtetit, që t’i mbulojnë shpenzimet e tyre të mëdha që ato bëjnë vetëm gjatë fushatave elektorale.

Prandaj ka edhe nga kandidatët për deputetë që kanë shfrytëzuar edhe afërsinë e tyre me biznese të ndryshme në Kosovë për të siguruar mbështetje financiare për fushatë.

“Po vërehet që ka shpenzime të mëdha në media, në rrjete sociale, në reklama dhe në billborde që po vendosen në qytete. Në të kaluarën i kemi matur shpenzimet e partive politike dhe në bazë të matjes që e kemi bërë në atë kohë ka dalë se partitë politike kanë shpenzuar dy herë më shumë sesa që kanë deklaruar në KQZ”, thotë për Radio Evropa e Lirë, Arton Demhasaj nga “Çohu”.

Por, jo edhe të gjithë kandidatë për deputetë kanë mbështetje financiare në njërën apo tjetrën formë.

Ardian Kastrati, i cili për herë të parë garon për deputetë nga radhët e PDK-së në zgjedhjet e 14 shkurtit, fushatën e zhvillon me mjetet vetanake, me ndihmën e familjarëve dhe të ndonjë miku. Ai çdo ditë zhvillon me dhjetra takime me qytetarë nëpër të gjithë Kosovën duke shfrytëzuar makinën e kusheririt të tij.

“Unë nuk kam paguar asnjë billbord, asnjë reklamë në asnjë portal, asnjë videospot në asnjë TV dhe asnjë lloj marketingu tjetër. Në krejt Kosovën vetëm në një pikë e kam një poster të sponsorizuar nga familja, të cilët e kane bërë pa më pyetur, me vetiniciativë. Një videospot ma ka bërë një mik me vetdëshirë dhe i njëjti transmetohet këto dy ditë në hapesirën pa pagesë në RTK. Vizikartelat mi ka dhuruar një mik gjithashtu me vetdëshirë pa pagesë. Me ndihmën e dy miqëve të mij dhe buxhetit tim personal fushata ime deri më tani ka kushtuar 1100 euro (kryesisht karburant dhe pije për mysafiret e ftuar ne tubimet e mia). Ndërsa, facebook e kam hapur para 8 dite sepse kurrë s’kam pasur rrjete sociale.

Arsyeja është e thjeshtë. Unë nuk mund të ndaj financa për fushatën time nga buxheti im familjar sepse nuk kam të hyra tjera jashtë familjes për këtë fushatë zgjedhore”, thotë Ardian Kastrati për Rtk.

Pavarësisht vështirësive financiare, Ardiani çdo ditë i kalon me qindra kilometra duke dëgjuar hallet dhe nevojat e qytetarëve të Kosovës. Ai për RTK thotë se këto takime ia rrisin çdo ditë e më shumë motivin për t’u bërë deputet dhe për t’i adresuar problemet e qytetarëve në mënyrë institucionale.

“Unë kam konsideruar që nëse nuk kam mundur ta bind qytetarin me paraqitjet e mia publike në mënyrë që votuesi im të ndihet i përfaqësuar nga unë, atëherë edhe më pak mund ta bind me reklama nëpër portale, bilborde apo përmes videospoteve televizive”, thotë Ardian Kastrati, kandidat për deputet nga PDK.

Disa nga zyrtarët e partive tjera politike kanë dhënë mendime të ndryshme rreth shpenzimeve për fushatën elektorale.

Lutfi Zharku nga Lidhja Demokratike e Kosovës thotë për Radio Evropa e Lirë se fushata elektorale po financohet nga mjetet që atyre iu ndahen në vit nga buxheti i shtetit dhe se deklarimin e shpenzimeve për këtë fushatë, do ta bëjnë pas përfundimit të zgjedhjeve.

Edhe zëdhënësi i Lëvizjes Vetëvendosje, Përparim Kryeziu, për REL thotë se burimet bazë dhe kryesore të financimit janë Fondi për demokratizim i subjekteve politike në kuadër të buxhetit të Republikës së Kosovës, njëherësh edhe pagesat e anëtarësisë dhe donacionet vullnetare nga persona juridikë dhe fizikë.

Florent Spahija nga Instituti Demokratik i Kosovës, ka deklaruar për REL, se shpenzimet e deklaruara nga partitë politike janë shumë herë më të mëdha nga ajo që ato shpenzojnë gjatë fushatës.

Sipas REL, çmimet vetëm për materiale reklamuese në tregun e Kosovës në disa kompani që merren me këtë veprimtari janë këto: Shtypja e 10 mijë kartëvizitave – 100 deri në 150 euro, personalizimi i stilolapsave – 0.25 deri në 0.35 euro për copë. Të njëjtin çmim e kanë edhe shkrepëset e personalizuara.

Ndërkaq, për billborde çmimet variojnë duke filluar nga 500 euro, sipas REL.

Një ndër format e marketingut zgjedhor, e cila po përdoret në këtë fushatë janë edhe rrjetet sociale dhe portalet informative. Shpenzime të mëdha partitë bëjnë edhe në materiale sponsorizuese të partive politike në televizione.