Sa përfituan bizneset nga tifozët anglez në Prishtinë

Ardhja e turistëve anglezë në Kosovë dhe mobilizimi i kryeqytetit për mikpritje ka bërë që mysafirët nga ishulli të ndihen të kënaqur me qëndrimin në Prishtinë.

Organizimet në sheshe, ambientet e ngrohta mikpritëse në shumë kafene dhe falënderimi ndaj popullit britanik në përgjithësi, sipas qytetarëve, ka treguar një pasqyrë krejt tjetër në krahasim me atë se si e kanë parë të tjerët Kosovën, raporton KTV.

Ambientet shoqërore dhe vendosja e simboleve angleze karshi atyre të Kosovës bënë që shumë anglezë të frekuentojnë kafenetë e qytetit për të shijuar edhe ambientet në vend.

Për pronarët vendas fluksi i madh i vizitorëve u ka ndihmuar shumë edhe në qarkullimin ditor dhe rritjen e të ardhurave për bizneset e tyre më shumë se zakonisht.

Përveç kafeneve lokale, sipas Adrian Berishës nga Komuna e Prishtinës, në saje të vizitës së anglezëve, përfituan edhe shumë biznese të tjera nga kryeqyteti.

Sipas tij, mobilizimi i kryeqytetit për pritjen e miqve ndikoi për të mirë edhe në rritjen e buxhetit të bizneseve më të vogla në vend.

Përpos përfitimit të bizneseve vendore nga përballja me Anglinë, Kosova përfitoi edhe në njohje më të madhe nga kërkues të huaj.