Sadiku: Pandemia s’do të kalojë shumë shpejtë, kapacitetet tona të limituara në luftën me COVID-19

Infektologu Izet Sadiku, ka folur për gjendjen që po mbizotëron në Kosovë në luftë me pandeminë.

Sadiku tha se sfidë për sistemin tonë shëndetësor është rritja e rasteve me Covid-19.

Ai theksoi se arma kryesore e luftës është parandalimi i përhapjes së koronavirusit.

“Secili sistem shëndetësor ka pasur sfidë. Sfidë për neve është rritja e rasteve të sëmundjes. Ne armën kryesore e kemi parandalimin e sëmundjes. Fillimi i rritjes dhe paraqitjes së rasteve për shtrim në spital ty fillon ta ngarkojë institucionet. Krejt lufta është bërë që ky numri i rasteve të reja është që të jenë konform kapaciteteve që i ka sistemi shëndetësor”.

“Ne kemi pasur sisteme të shumta shëndetësore që nuk kanë mundur të kontrollojnë situatën dhe kanë dështuar. Italia p.sh nuk ka arritur ta menaxhojë si duhet situatën edhe pse llogaritet se ka ndër sistemet më të mira shëndetësore në Evropë. Por mos kontrollimin i pandemisë në fillim në Itali ka bërë që me ra sistemi”.

“Ne e dimë që kapacitetet janë të kufizuara dhe të limituara, edhe njerëzore dhe pajisje mjekësore. Duhet të përmendim edhe rezultatet pozitive, punësimin e disa mjekëve që e ka bërë qeveria dhe kjo ka ndikuar shumë tek ne. Qeveria ka filluar të mendojë të krijojë kapacitete që të ballafaqohemi me Covid-in për një periudhë më të gjatë kohore”, tha ai në KlanKosova.

Ish- zëvendësministri i Shëndetësisë përmendi se pandemia nuk do të kalojë shumë shpejtë.

Ai se tek qytetarët ishte krijuar opinioni se ne mund të përballemi lehtë me pandeminë.

“Pandemia nuk do të kalojë shumë shpejtë. Në situata më të mira deri ne fund të vitit ose në vitin e ardhshëm, nëse zbulohet ndonjë bari ose vaksinë. Qeveria pra ka filluar të krijojë kapacitetet për luftimin e Covidit, edhe aparaturat, por arma jonë kryesore mbetet parandalimi. Në Kosovë i kemi diku katër muaj prej paraqitjes së rastit të parë”.

“Ka pasur njëfarë entuziasmi që ka kaluar pandemia, dhe kjo ka krijuar një opinion tek qytetarët që ne mund ta luftojmë lehtë pandeminë. Dhe kjo pastaj kjo ka ndikuar që pastaj edhe të mosrespektohen masat. Mirëpo mendoj që vendimet e fundit të qeverisë duhet të mbikëqyren në mënyrë rigoroze”.

“Ne e dimë që çdokund që nuk mund të lihen në dorë të qytetarëve. Institucionet shëndetësore duhet të i orientojnë qytetarët edhe ti gjobisin ata që nuk i respektojnë masat”.