SBASHK: Fundi i prillit ose fillimi i majit do të na gjejë në një grevë të përgjithshme

SBASHK-u ka paralajmëruar sërish greva pasi sipas tyre nuk po merren parasysh kërkesat e punëtorëve të arsimit.

Sekretari i Përgjithshëm i SBASHK-ut, Ymer Ymeri thotë se kërkesat e tyre janë të pandryshuara qysh nga muaji nëntor, por kanë pritur procedimin e Ligjit të pagave.

“Edhe nëse ligji del në gazetën zyrtare ai do të implementohet vetëm pas gjashtë muajve. Pra këtë vit nuk do të ketë implementim të ligjit të pagave”.

Ymeri thotë se kanë kërkuar nga 100 euro shtesë në pagë për të gjithë pa dallim.

Ai tha se më dy prill është Kongresi i SBASHK-ut ku do të vendoset përfundimisht se si do të veprohet, raporton Tv Dukagjini.

“Kemi menduar që më datën 8 prill ta mbajmë një protestë vetëm me udhëheqësit sindikalë. Pra një protestë me rreth 2-3 mijë persona. Pas kësaj proteste do të jetë një grevë një orëshe, dhe nëse nuk ka rezultate fundi i prillit ose fillimi i majit do të na gjejë në një grevë të përgjithshme”.

Sekretari i Përgjithshëm i SBASHK-ut thotë se takimi me Ministren e Arsimit nuk ka sjellë rezultat.