Selimi i përgjigjet Haradinajt lidhur me Gjykatën Speciale

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje Rexhep Selimi u është kundërpërgjigjur akuzave të kryeministrit në dorëheqje të Kosovës Ramush Haradinaj se ai ka kënduar derisa ka qenë në Hagë.

Ai në emisioni Pressing në T7 ka konfirmuar se nuk ka qenë asnjëherë dëshmitar në Gjykatën Speciale.Selimi tha se autor i kësaj gënjeshtre është Hashim Thaçi.

“Nuk e kuptoj. Nuk e kam pritur mirë. Nuk është hera e parë që e kam dëgjuar. Ramushi e di që nuk është ashtu dhe e di burimin e rrenës.

Autor i kësaj rrene të madhe është Hashim Thaçi, i cili për vite të tëra e ka thënë, por s’po e kuptoj Ramushin pse vazhdon ta përsërisë këtë.

Kurrë nuk jam ftuar nga gjykata si dëshmitar. Një luftëtar të jetë dëshmitar i fshehur i Speciales është turp, dhe këtë nuk e bëj kurrë. Kurrë nuk jam ftuar nga Specialja deri në momentin kur po flasim”, tha Selimi.

“Nuk është faji im pse nuk kam shkuar në burg. E përsëris është turp që një luftëtar të dëshmojë fshehur.

Kurrë nuk do ta turpëroj veten të jap fshehtë përballë ushtarëve të UÇK-së. Haradinaj e di se nuk kam dhënë dëshmi as fshehtë, as hapur”, shtoi ai.