Senatorët amerikanë në Prishtinë përmendin zgjidhjet e vështira dhe sakrificën që duhet ta bëjnë Kosova e Serbia

Senatorët amerikanë, republikani Ron Johnson dhe demokrati Chris Murphy, kanë vizituar sot Kosovën.

Gjatë deklarimit të tyre përpara mediave, senatorët thanë se janë këtu që ta përkrahin popullin e Kosovës dhe atë të Serbisë dhe patën një mesazh të qartë për dialogun, njofton Fokusi.info.

“Ne jemi këtu që ta përkrahim popullin e Kosovës dhe Serbisë, duam t’i shohim ata të përparojnë” tha Ron Johnson.

“Sa i përket dialogut duhet të vazhdojë dialogu dhe të marrin vendime të vështira. Duhet që ky dialog të ketë kuptim dhe në të mirën e të dy shteteve. Ne do ta vazhdojmë udhëtimin tonë edhe në Serbi dhe atje do t’i themi edhe Vuçiqit njëjtë. Duhet të rregullohen marrëdhëniet ndërmjet këtyre dy nacionaliteteve sepse kjo është e mira për të dy shtetet që të jenë në gjendje edhe ta rrisin ekonominë e tyre”, ishte mesazhi i Murphyt.

“Kjo është vizita ime e dytë në Kosovë. Sa herë që vij këtu, jam shumë i impresionuar nga energjia e njerëzve të këtij shteti. Ne jemi miq të Kosovës, kemi një lidhje të veçantë mes SHBA-së këtij shteti, ne shohim të ardhme për Kosovën”, tha më tej Murphy.