“Serbia ka arsye të ndihet fituese”, Haradinaj flet për draft-statutin e Asociacionit

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, tha se e ka lexuar dokumentin e plotë të draft-statutit të Asociacionit të propozuar nga përfaqësuesit e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Italisë, Francës, Gjermanisë dhe BE-së.

Haradinaj tha ky dokument iu prezantua gjatë takimit të sotëm me emisarin special të BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak.

“Dokumenti i plotë na është dhënë për t’u lexuar, unë dhe kolegu im Besniku (Tahiri) e kemi lexuar ndaras dhe kemi pasur të drejtë të marrim shënime, por jo ta fotografojmë. Dokumenti nuk na është dhënë me vete, që i bie se ende është një fazë e hershme”, tha Haradinaj në Rubikon të Klan Kosovës.

Ish-kryeministri tha se ky draft bazohet në Kushtetutën e Kosovës dhe ligjet e vendit, derisa shtoi se dokumenti është i pasur me shumë të drejta për komunitetin serb në Kosovë.

“Në dokument janë dhënë shumë mundësi dhe shumë lehtësi në qeverisje, në jetën qeverisëse të nivelit komunal, ato që veç i kanë komunat, por edhe një kooperim mes komunave, pra Asociacioni, janë dhënë po ashtu të drejta, ose përgjegjësi në shëndetësi, në edukim, me përkrahje të Serbisë siç ndodhë edhe sot, por me një dallim se do të jetë validitimi i tyre i dyanshëm ta zëmë e diplomave, ndërsa në të gjitha këto situate të parapara që Asociacioni i ka si rasti i asamblesë, kryetarit, nënkryetarit, bordet, administratën, financimin, për të gjitha i referohet pra në bazë të kushtetutës, ligjeve të Kosovës edhe atyre neneve që Kushtetuta jonë thirret në konventat ndërkombëtare për obligimet, ose të drejtat që ua njeh komuniteteve”, tha Haradinaj.