Sërish tërmet në Durrës

Shqipëria nuk gjen qetësi nga tërmeti. Mbrëmjen e sotme është regjistruar një tjetër lëkundje sizmike në fshatin Safetaj në Durrës. IGJEUM thekson se tërmeti i regjistruar në orën 22:05 ka qenë 4 ballë i shkallës rihter me thellësi 36 km, ndërsa lëkundjet janë ndjerë edhe në Fushë Krujë.

Lëkundjet kanë shkaktuar frikë te banorët e Durrësit dhe Fushë Krujës që nuk po gjejnë qetësi prej disa muajsh. Emergjencat Civile njoftojnë se sipas komunikimit me shtabet në qarqet Durrës dhe Tiranë nuk ka dëme në njerëz apo materiale deri tani. Ndërkohë që sizmologu Rrapo Ormeni u shpreh për Report Tv se nuk ka vend për panik dhe frikë, pasi janë paslëkundje pas tërmetit të 26 Nëntorit.

“Tërmeti ka qenë në vijim të pasgoditjeve të tërmetit të 26 nëntorit. Është me magnitudë 4 me epiqendër në fshatin Safetaj të Durrësit. Një lëkundje normale. Edhe pas tërmetit para 3 ditësh ky është shumë i vogël, por në vazhdën e atyre pasgoditjeve që po vijojnë pas tërmetit të madh.

Shpejtësia e tyre ka ardhur duke u ulur në krahasimin me muajt e parë. Aktiviteti sizmik është i lartë, pasi në 40 vitet e fundit ka qenë i ulët” tha ai.