Serwer për targat: Kurti mund të përballet edhe me pasoja

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti është i prerë në qëndrimin e tij për mosshtyrje të afatit për targat.

Pavarësisht kërkesës së ndërkombëtarëve për një shtyrje prej 10 muajsh, Kurti po thotë se 31 tetori është data e fundit kur serbët kanë mundësi që të konvertojnë tabelat e tyre në RKS.

Lidhur me këtë çështje dhe me procesin e dialogut si dhe për arritjen e marrëveshjes finale në mes Kosovës dhe Serbisë, në një intervistë për Front Online ka folur njohësi i situatës në Ballkan dhe analisti amerikan, Daniel Serwer.

Sipas tij, kryeministri Kurti me vendimin për targat po ushtron sovranitetin e Kosovës.

Por, shton se duhet të jetë i përgatitur të përballet edhe me pasojat e mundshme.

“Kurti po ushtron sovranitetin e Kosovës. Shpresoj se ai është i përgatitur të përballet me pasojat. Sigurisht që e kuptoj padurimin e tij – madje kam sugjeruar që 10 minuta janë shumë të gjata. Por të kesh të drejtë funksionon vetëm nëse lëvizja që bën nuk krijon probleme më të mëdha”, ka thënë Serwer për Front Online.

Ndërsa, sa u përket vizitave shpeshta të emisarëve dhe zyrtarëve të lartë ndërkombëtar në Kosovë, profesori i Universitetit ‘John Hopkins’ në Uashington, Daniel Serwer ka deklaruar se kjo po bëhet për të pasur përparim në procesin e dialogut.

Por, shton se si Prishtina e po ashtu edhe Beogradi po i duken të papërgatitura për kompromise.

“Miqtë e Kosovës po përpiqen të inkurajojnë përparimin në dialog. Kjo është puna e tyre dhe i uroj suksese. Megjithatë, nuk është e qartë se ata po prodhojnë ato lloje të përgjigjeve në Beograd që do t’i mundësonin Prishtinës të përgjigjet në mënyrë reciproke. Të dy kryeqytetet më duken të papërgatitura për kompromis”, është shprehur ai.

Serwer: Nuk e di a do të ketë marrëveshje finale Kosovë-Serbi në vitin 2024

Ditë më parë i dërguari i Bashkimit Evropian për bisedimet Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, tha se Kosova dhe Serbia nuk duhet të shpërdorojnë mundësinë e arritjes së një marrëveshjeje për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet tyre para zgjedhjeve në SHBA dhe BE në vitin 2024.

Lidhur me këtë profesori i Universitetit ‘John Hopkins’ në Uashington Saniel Serwer ka thënë se këtë e vendos Prishtina dhe Beogradi.

Derisa, shton se nuk e ka idenë se a janë gati për marrëveshje në vitin 2024.

“Kurdo që Prishtina dhe Beogradi vendosin se është në interesin e tyre. Ata nuk janë ende atje. Nuk e kam idenë nëse do të jenë gati në vitin 2024”, është shprehur ai për Front Online.

A duhet të ketë marrëveshje që nuk parasheh njohjen e Kosovës nga Serbia, përgjigjet Daniel Serwer?

Njohësi i situatës në Ballkan dhe analisti amerikan, Daniel Serwer, duke folur për marrëveshjen finale e cila do të nënkuptonte njohjen e Kosovës nga Serbia ka thënë se mund të ketë marrëveshje të tjera të cilat do të ishin të dobishme për Kosovën.

Serwer, ka deklaruar se nuk sheh arsye për të pritur njohjen në mënyrë që të bëhen gjëra që do të përmirësonin jetën e qytetarëve të të dyja vendeve.

“Mund të imagjinoj shumë marrëveshje pa njohje që do të ishin të dobishme për Kosovën. Edhe me njohje do të ketë nevojë për shumë marrëveshje të tjera. Nuk shoh asnjë arsye për të pritur njohjen për të bërë gjëra që do të përmirësojnë jetën e qytetarëve në të dy vendet. Kjo ishte filozofia e fazës “teknike” të dialogut. Ndërsa shumë nga ato marrëveshje nuk janë zbatuar plotësisht, disa rezultuan në përfitime reale”, ka deklaruar Serwer për Front Online.

Kosova e ka bërë të qartë se marrëveshja gjithëpërfshirëse duhet të përfshijë njohjen reciproke me Serbinë, të cilën gjë Serbia, tash për tash, thotë se nuk do ta bëjë.