Ibishi: Barrikadat të hiqen me marrëveshje diplomatike, ndryshe mund të ketë pasoja të rënda

Sot janë bërë 18 ditë që kur serbët lokalë kanë vendosur barrikada në pikat kufitare në Jarinjë dhe Bërnjak.

Të tilla janë vendosur edhe në Rudarë.

Ndërsa, sot janë vendosur edhe dy barrikada të tjera në veri të vendit.

Njëra prej barrikadave është vendosur në udhëkryqin te shkolla teknike, ndërsa tjetra është vendosur te vendi i quajtur Kershi i Dudes, shkruan Front Online.

Vendosja e tyre erdhi pas arrestimit të ish-zyrtarit policor serb, Dejan Pantiq, i cili po dyshohet se ka kryer vepra penale terroriste dhe kundër rendit kushtetues.

Për këtë çështje dhe situatën e krijuar tash e 18 ditë në veri të vendit, për Front Online ka folur njohësi i çështjeve të sigurisë, Nuredin Ibishi.

Sipas tij, situata po përshkallëzohet.

“Kjo situatë po përshkallëzohet në kuptimin e asaj që Mitrovica po mundohet me çdo kusht të izolohet dhe të bëhet sikur një geto edhe të pamundësohet lëvizja e lirë. Problemi qëndron aty se nëse në mënyrë të dhunshme tentohen të hiqen këto barrikada ata kanë paralajmëruar që do të rezistojnë dhe do t’i mbrojnë ato barrikada”, ka thënë ai për Front Online.

Pa ardhur deri te tërheqja e tyre në mënyrë të dhunshme Ibishi, ka thënë se kjo mund të zgjidhet me një trysni politike dhe diplomatike.

“Mundësia e parë është që kjo situatë të zgjidhet me një trysni politike dhe diplomatike nga ndërkombëtarët, pra nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian”, ka shtuar Ibishi.

Ibishi, ka folur edhe për atë se nëse KFOR-i nuk ndërhyn, duke thënë se Kosova ka kapacitete që t’i largojë edhe vet, por nëse has në rezistencë atëherë mund të ketë edhe pasoja të rënda.

“Po, ka kapacitete nuk është ndonjë problem, pra ato barrikada mund t’i mënjanojnë por cila do të jetë përgjegjësia e atyre që kanë vendos edhe problemi tjetër është që gjatë mënjanimit të tyre do të hasin në rezistencë nga personat që sikurse edhe janë deklaruar që do t’i mbrojnë ato me forcë e mandej këtu do të vie ai problemi ku mund të ketë edhe pasoja të rënda”, është shprehur ndër të tjera ai.

E ato, që sipas Ibishit mund të sjellin deri të pasojat e rënda janë që ekstremistët që është thënë që janë të armatosur mund të përdorin edhe armë, dhe atëherë edhe Policia e Kosovës mund të iu kundërvihet me armë.

I pyetur se nëse fillon edhe përdorimi i armëve, a mund të ketë edhe viktima, Ibishi ka dhënë këtë përgjigje.

“Sigurisht, mirëpo ajo nuk iniciohet apo nuk nis nga Policia e Kosovës, por nis nga ekstremistët sepse Policia e Kosovës e zbaton detyrën ligjore për largimin e pengesave që pamundësojnë lëvizjen e lirë dhe Policia apo organet e rendit duhet të krijojnë mundësi për lëvizje të lirë të qytetarëve dhe pa marrë parasysh çfarë komuniteti i përkasin dhe për këtë arsye edhe nëse ata shtin me armë, edhe Policia do t’i përgjigjet pa marrë parasysh se çfarë do të jenë pasojat, pasi që Policia nuk është shkaktar për nismën e tillë, shkaktar janë vet ata që i kanë vendos barrikadat”, ka thënë ai.

Deklaron se ka paralajmëruar që kjo situatë do të zgjasë.

“Unë këtë e kam parapa që do të zgjatë më shumë se që dikush ka prit, mirëpo nëse nuk bëhet një marrëveshje politike apo diplomatike për mënjanimin e tyre, atëherë duhet të hiqen në mënyrë të dhunshme, dhe kjo nënkupton ose këtë mandat e merr KFOR-i siç ka paralajmëruar, por nëse nuk zotohet për këtë atëherë këtë detyrë e merr Qeveria e Kosovës, përmes MPB-së, Policisë dhe partneritetit publiko-privat të cilët i kanë mekanizmat për largimin e tyre”, ka shtuar Ibishi, për Front Online.

Pas një takimi të Këshillit të Sigurisë të Kosovës, të mbajtur të hënën, Zyra e Kryeministrit theksoi se Qeveria e Kosovës është ende “në pritje të veprimeve nga KFOR-i” për heqjen e barrikadave.

Kurse, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka ripërsëritur edhe njëherë se nëse KFOR-i nuk do t’i heq barrikadat, këto do të hiqen nga institucionet e Kosovës.