SHBA i vë sanksione Zvonko Veselinoviqit dhe grupit të tij

SHBA ka ndërmarrë sanksione kundër grupeve të organizuara kriminale, pasi Departamenti Amerikan i Thesarit për Kontrollin e Pasurive të Huaja ka targetuar 16 individë dhe 24 subjekte në disa shtete në Evropë mes tyre edhe grupin e Zvonko Veselinoviqit në veri të Kosovës.

Në njoftimin e këtij departamenti thuhet se këto veprime janë ndërmarrë në përputhje me Urdhrin Ekzekutiv 13818 i cili targeton personat e korruptuar dhe abuzimin e rëndë të të drejtave të njeriut, njofton Klankosova.tv.

Në njoftimin e këtij departamenti thuhet se Zvonko Veselinoviq si lideri i Grupit të Organizuar Kriminal Zvonko Veselinoviq (OCG) është një nga figurat më të korruptuara dhe më famëkeqe të Kosovës.

“OCG-ja e Veselinoviqit është e përfshirë në një skemë të gjerë të ryshfetit me zyrtarë kosovarë dhe serbë të sigurisë të cilët e lehtësojnë trafikimin e paligjshëm të mallrave, parave, narkotikëve dhe armëve mes Kosovës dhe Serbisë. Ky grup gjithashtu ka komplotuar me politikanë të ndryshëm në disa marrëveshje quid pro quo, duke përfshirë dhënien e ryshfetit në fillim të vitit 2019 zyrtarëve kosovarë të sigurisë për të lejuar operacionet e kontrabandës mes Serbisës dhe Kosovës dhe atë të vitit 2017 të zyrtarëve kufitarë të Kosovës për të lejuar kalimin e sigurtë të kontrabandistëve”.

“Nga fundi i vitit 2017, Veselinoviq dhe vëllau i tij Zharko Jovan Veselinoviq (Zharko) kishin marrëveshje me politikanët për të ndihmuar partinë e tyre që të fitojë zgjedhjet, të siguronin fitore për kandidatët e tyre dhe të kontribuonin me shuma të mëdha të parave për kandidatët. Në këmbim këta politikanë do t’iu jepnin vëllezërve kontrollin e zonave të caktuara për bizneset e tyre ku ata mund të kryenin aktivitetet e tyre të paligjishme biznesore pa ndërhyrjen e autoriteteve serbe, dhe gjithashtu do të ofronin informacion për të mbështetur investimet e bizneseve të vëllezërve Veselinoviq”, thuhet në njoftim.