SHBA-ja vendos ta furnizojë Ukrainën me raketa vdekjeprurëse “Stinger”

Shtetet e Bashkuara të Amerikës për herë të parë kanë miratuar dërgimin e drejtpërdrejtë të raketave Stinger në Ukrainë si pjesë e një pakete të miratuar nga Shtëpia e Bardhë të premten, transmeton Demokracia.com.

Koha e saktë e dorëzimit nuk dihet, por zyrtarët thonë se SHBA-ja aktualisht është duke punuar në logjistikën e dërgesës. Zyrtarët amerikanë e kanë konfirmuar këtë, por kanë dashur të mbesin anonim.

Vendimi vjen pas njoftimit të Gjermanisë se do të dërgojë 500 raketa Stinger dhe armë dhe furnizime të tjera në Ukrainë.

Raketat Stinger me shpejtësi të lartë janë shumë të sakta dhe përdoren për të rrëzuar helikopterët dhe avionët e tjerë. Zyrtarët ukrainas kanë kërkuar më shumë nga armët e fuqishme.

Estonia gjithashtu ka furnizuar Ukrainën me Stingers që nga janari, dhe për ta bërë këtë duhej të merrte leje nga SHBA-ja.