SHBA me rregulla të reja për vizë të punës, ja si mund ta fitoni

Aplikimi për vizat H-1B, për të punuar dhe vepruar në Amerikë ka nisur të ndryshojë sipas administratës Trump.

Tani do kërkohet nga aplikantët që të aplikojnë në një lotari para se të paraqesin peticionet e tyre për këto viza. Punëdhënësit që kërkojnë punëtorë do regjistrohen midis 1-20 marsit, për të përcaktuar se kush do aplikojë për këto viza, duke lejuar kështu aplikuesit të punojnë dhe jetojnë në SHBA deri në 3 vite.

Më parë ky proces bënte që punëdhënësit të përgatisin peticione që kushtonin mijëra dollarë, e pastaj për të hyrë në një lotari që fillonte zakonisht me 1 prill. Por tani USCIS, do thjeshtojë këtë procedurë, pasi nga punëdhënësit do kërkohen vetëm 10 dollarë për të futur emrat e aplikantëve në një lotari elektronike, dhe punëdhënësit që marrin një numër regjistrimi mund të paraqesin aplikimet më pas që do variojnë nga 1000 deri në 6000 dollarë.

Por këto ndryshime nuk janë mirëpritur nga punëdhënësit, pasi ata thonë se do ketë një numër shumë të madh të aplikimeve, madje më shumë se vitet e kaluara.
Ky proces nuk dihet nëse do futet në funksion gjatë 2020, apo ndonjë vit tjetër. Nga ana tjetër disa kritikë thonë se mënyra e përzgjedhjes do bëjë që aplikantët e caktuar të favorizohen.

Ndërsa USCIS (Shërbimet e Qytetarisë dhe Emigracionit të Shteteve të Bashkuara) tha që procesi i ri në bazë të lotarisë do jetë i rastësishëm, dhe nuk do ketë përzgjedhje të tilla.