SHBA sjell në Shqipëri ekspertin për fatkeqësitë natyrore, do ndihmojnë në vlerësimin e dëmeve nga tërmeti

Ambasada amerikane në Tiranë ka njoftuar përmes një postimi në Facebook, se një ekspert i fatkeqësive natyrore nga USAID ka mbërritur në Shqipëri për të ndihmuar në vlerësimin e dëmeve dhe identifikimin e nevojave prioritare për ndihmë humanitare.

“Qeveria e Shteteve të Bashkuara po vazhdon të mbështesë ndihmat humanitare në Shqipëri. USAID po bashkëpunon me Kryqin e Kuq Shqiptar për të siguruar rezerva emergjence për njerëzit e prekur nga tërmeti. Me financim të USAID, Kryqi i Kuq po shpërndan artikuj jetikë humanitarë, si batanije dhe paketa higjenike, në vendet e prekura më shumë.

Zyra për Ndihmë të Jashtme në raste Fatkeqësish e USAID ka sjellë gjithashtu edhe një ekspert farkeqësish natyrore në Shqipëri, për të ndihmuar në vlerësimin e dëmeve dhe identifikimin e nevojave prioritare për ndihmë humanitare“, thuhet në një postim në Facebook të ambasadës.