Shefat e paprekshëm, kritikohet triumfi i “Pronto-s”

0
329

Gjykata Themelore në Prishtinë ka shpallur sot të pafajshëm 11 personat e akuzuar për rastin “Pronto”, në mesin e tyre ish-deputetin e PDK-së, Adem Grabovcin, ish-ministrin e Inovacionit, Besim Beqajn dhe ish-deputetin e PDK-së Zenun Pajazitin.

Ata janë akuzuar për kryerjen e veprës penale “Shkelja e statusit të barabartë të shtetasve dhe banorëve të Republikës së Kosovës në bashkëkryerje”, nga neni 193 paragrafi 4 lidhur me paragrafin 1 të KPRK-së, lidhur me nenin 31 të KPRK-së, prej të cilave disa prej veprave kanë mbetur në tentativë, shkruan “FrontOnline”.

Për këtë vendim, njohësit e sistemit të drejtësisë thonë se aktakuza më shumë ka pas qëllim të amnistoj përgjegjësit kryesor të cilët nuk janë akuzuar dhe të bëj cirk medial ndaj personave të akuzuar.

Ehat Miftaraj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), i cili ka monitoruar të gjitha seancat gjyqësore për këtë rast, ka thënë për “FrontOnline”, se një rast i tillë më shumë është promovim personal dhe bëhet për pastrim të figurave se sa për luftim të kriminalitetit.

“Është për keqardhje sistemi i drejtësisë në çfarë gjendje të mjerë ka përfunduar. Rastet si ky më shumë i shohin si promovim personal dhe pastrim të figurave se sa luftim të kriminalitetit”, ka thënë Miftaraj.

Sipas tij, rasti “Pronto” do të shërbej si rast unik se si amnistohen figurat e larta dhe se si Prokurori i Shtetit gjunjëzohet para politikës.

“Ky rast duhet të shërbej si rast unik se si prishen rastet e profilit të lartë nga vet ata që do të duhej të shërbenin si shembull si luftohet kriminaliteti, se si amnistohen figurat e larta dhe se si Prokurori i Shtetit gjunjëzohet para politikës”, ka potencuar Miftaraj.

Ai për “FrontOnline” tha se vendimi i Gjykatës duke i shpallur të pafajshëm personat e akuzuar për veprimet dhe metodat e punësimit brenda grupeve të ngushta interesi, janë një ogur i zi jo vetëm për liberalizim të vizave por edhe për rrugën evropiane të Kosovës.

“Sigurisht se ky rast është një ogur i zi jo vetëm për liberalizimin e vizave por edhe për rrugën evropiane të Kosovës. Më një sistem të drejtësisë së politizuar dhe të paaftë rruga e Kosovës drejt BE-së është shumë larg”, ka shtuar Miftaraj nga IKD.

Abazi: Gjykatat të kapura nga parapolitika dhe rrjetetet kriminale

Deputeti nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Haki Abazi, ka reaguar pas vendimit të fundit të Gjykatës për rastin e njohur “Pronto”, ku kanë qenë të akuzuar ish-deputeti i PDK-së, Adem Grabovcin, ish-ministri i Inovacionit, Besim Beqajn dhe ish-deputeti i PDK-së Zenun Pajazitin.

Abazi për “FrontOnline”, sistemin gjyqësor e ka cilësuar të kapur nga parapolitika dhe rrjetet kriminale në Kosovë.

“Vendimi gjykatës sot tregon edhe vet qëllimin e fillimit të rastit për të përmbyllur rastin sa kanë ndikim ne vendime dhe nivelin më të lartë të mosfunksionimit të drejtësisë dhe ajo që është thënë ne vazhdimësi se sistemi gjyqësor është i kapur nga parapolitika dhe rrjetet kriminale në Kosovë”, u shpreh Abazi.

Sipas tij, vendimi i Gjykatës Themelore për rastin “Pronto”, do të ndikoj jo vetëm në procesin e liberalizimit të vizave, ngase, siç thotë ai, edhe në organizatat tjera ndërkombëtare.

“Ky vendim natyrisht që ka ndikim në vlerësimin që shtetet anëtare dhe institucionet e BE i bëjnë funksionimit të drejtësisë në Kosovë dhe pasojat do të vazhdojë të jenë shumtë mëdha dhe jo vetëm në rastin e liberalizmit të vizave, por edhe në investimet direkte ndërkombëtare dhe bashkëpunimet me institucionet ndërkombëtare dhe anëtarësimin në organizatat ndërkombëtare përfshire INTERPOL-in”, përfundoi Abazi.

Demhasaj: Vendimi për rastin “Pronto” mund të ketë pasoja për vizat

Gjykata Themelore në Prishtinë ka shpallur sot të pafajshëm 11 personat e akuzuar për rastin “Pronto”, në mesin e tyre ish-deputetin e PDK-së, Adem Grabovcin, ish-ministrin e Inovacionit, Besim Beqajn dhe ish-deputetin e PDK-së, Zenun Pajazitin

Këtë vendim të Gjykatës, Arton Demhasaj nga Organizata “Çohu” e ka cilësuar skandaloz, përderisa ka pasur prova dhe fakte, siç thotë ai, Gjykata ka marrë vendim amnistues.

”Në këtë rast në masë të madhe është parë nga përgjimet se sa është folur dhe sa është diskutuar për punësimet, duke anashkaluar proceduarat e rregullta ligjore.

Po e shohim se Gjykata ka marrë vendim amnistues. Vërtetë është një vendim skandaloz, përderisa ka pasur prova dhe fakte në publik. Është parë qartë se si është manipuluar me punësime dhe gjëra të tilla dhe në fund të fundit kanë përfunduar me aktgjykim lirues”, tha Demhasaj.

Sipas tij, edhe partnerët ndërkombëtar, Bashkimit Evropian dhe SHBA-të, gjëja e parë që i kërkojnë Kosovës, është luftimi i korrupsionit dhe krimit të organizuar e që sipas tij, me vendimin e sotëm të Gjykatës Themelore ka ndodhur e kundërta.

“Ky vendim i Gjykatës mundet me pasur pasoja edhe në çështjen e liberalizimin e vizave për Kosovën me Bashkimin Evropian”, përfundoi Demhasaj.

Ndërsal, zyrtarë të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) nuk kanë pranuar të flasin për këtë rast, duke thënë se nuk kanë një qëndrim të subjektit politik të cilin ata e përfaqësojnë.

Mirëpo, i vetmi që ka reaguar në llogarinë e tij në rrjetin social “Facebook” ka qenë vetëm deputeti Driton Selmanaj.

Ai ka ironizuar me institucionet e Drejtësisë së Kosovës, duke thënë se është edhe lajmi i parë për këtë vit nga “Drejtësia e kapur”.

Selmanaj e ka quajtur “shtet të kapur: dhe “gërditës”, vendimin e sotëm Gjykatës Themelore, e që sipas tij tregon më së miri nevojën urgjente për formimin e institucioneve të reja.

“Beteja për drejtësi në këtë vend duhet të filloj me domosdoshmëri. Drejtësi e kapur! Shtet i kapur! Gërditëse!”, ka shkruar mes tjerash Selmanaj.

Në mesin e 11 të akuzuarve janë, ish-shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Adem Grabovci, ish-ministri i Inovacionit dhe Ndërmarrësisë, Besim Beqaj, deputeti aktual i PDK-së, Zenun Pajaziti, ish-kryesuesi i Kuvendit të Komunës së Prizrenit, Nijazi Kryeziu, ish-shefja e Njësisë për furnizim në Ministrinë e Shëndetësisë, Arbenita Pajaziti, ish-sekretari i Ministrisë së Punëve të Brendshme, Ilhami Gashi, ish-zëvendësministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Fatmir Shurdhaj, ish-këshilltari politik në MPB, Sedat Gashi, Ismet Neziraj, Xhavit Dakaj dhe Rexhë Abazi.