Shënohet rasti i parë me koronavirus në Kamenicë: Është nga fshati Topanicë, kishte ardhur nga Gjermania

Kamenica është një ndër komunat që u prek sot për herë të parë nga koronavirusi, ku një rast raportohet të jetë shënuar atje, më saktësisht në fshatin Topanicë.

Kjo është konfirmuar edhe nga burime të Gazetës Metro, të cilat thonë se personi i parë i infektuar atje, është nga Topanica.

Po ashtu, bëhet e ditur se personi në fjalë ka ardhur nga Gjermania.

Ndryshe, sot me 30.03.2020 në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKSHPK me metodën RT-PCR, janë testuar (69) mostra të marra nga rastet në terren dhe nga rastet e hospitalizuara në Klinikën Infektive. Nga mostrat e marra për testim në virusin SARS-CoV-2, (12) prej tyre kanë rezultuar pozitive.

Rastet pozitive janë raste kontakti, 5 prej të cilëve janë me vendbanim në Malishevë. 3 me vendbanim në Fushë Kosovë, 2 me vendbanim në Prishtinë, 1 me vendbanim në Mitrovicë dhe 1 në Kamenicë.

Nga data 08.02.2020 deri me 30.03.2020, në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKSHPK me metodën RT-PCR, janë testuar gjithsej 1.151 mostra të dyshimta në virusin SARS-CoV-2 dhe prej tyre, pozitive rezultojnë gjithsej (106) raste me një (1) rast të vdekjes i një të moshuari 82 vjeç.