‘Shëtitjet’ e ministrave të Kurtit me veturat e Burdushit, reagon Molliqaj

Front Online gjatë ditës ka raportuar për dy vetura luksoze, një Range Rover dhe një Audi A7, dikur në pronësi në Hysri Peqanit (Burdushit), por që tash po shfrytëzohen nga dy ministrat e Kurtit, Xhelal Sveçla dhe Faton Peci.

Lidhur me këto raportime ekskluzive ka reaguar kreu i PSD-së, Dardan Molliqaj, duke thënë se kjo lojë xhipash nuk dallon nga një tender luksi.

Ai ka thënë se pasuria e konfiskuar, siç janë këto dy vetura, nuk po u kthehet njerëzve të cilët janë zhvatur.

“Fare lehtë mund të shiteshin, pushteti pastaj do t’i pjestonte me numër bukësh. Mbi të gjitha, dallimi i vetëm na qenka nëse u fitua ligjshëm apo jo pasuria. Kjo është heqje dorë nga trajtimi i pabarazisë si shkak strukturor. Kështu, ka vetëm keqbërës dhe pasunarë me taban. Sigurisht, kush e vozit xhipin e Burdushit është i sërës së dytë”, shkroi Molliqaj në Facebook.

Postimi i plotë i tij në Facebook:

Xhiroja e Burdushit, krekosje dhe neveri

Paskan qenë dukë pritur në njërën këmbë. Si ta gjejmë një arsye për t’i hipur xhipit? Për ta shndërruar luksin në virtyt e krenari.

Pasuria e konfiskuar sepse pasuri e zhvatur prej njerëzve, nuk po iu kthehet atyre. Ajo po bëhet mbulesë për ta vulosur arrogancën dhe çallmin e pushtetit. Kjo pasuri nuk i është marrë Qeverisë, por njerëzve. Prandaj, kjo lojë xhipash nuk dallon nga një tender luksi. Fare lehtë mund të shiteshin, pushteti pastaj do t’i pjestonte me numër bukësh.

Mbi të gjitha, dallimi i vetëm na qenka nëse u fitua ligjshëm apo jo pasuria. Kjo është heqje dorë nga trajtimi i pabarazisë si shkak strukturor. Kështu, ka vetëm keqbërës dhe pasunarë me taban. Sigurisht, kush e vozit xhipin e Burdushit është i sërës së dytë.