Shkaku i pajisjes “humbën” mbi 8 mijë euro naftë në Trainkos

Kompania ‘Trainkos’ ofron shërbime të transportit të udhëtarëve brenda dhe jashtë Kosovës.

Vetëm për udhëtime nga Prishtina në Pejë, pothuajse 2 mijë litra i nevojitën për të mbajtur në punë trenat.

Në vitin 2018, për 12 muaj furnizimi me naftë ishte 637,962 litra sipas furnizuesit. Mirëpo, sipas mjetit matës sasia ishte 634,306 litra naftë.

Sipas kësaj, rrjedh se Trainkos ka një diferencë prej 3, 656 litra me pak nga matja me mjetin matës (shipkë e shkallëzuar në milimetra).

ZKA në raportin e saj për Trainkos, këtë e ka cilësuar si ‘Regjistrim i humbjes së naftës’, transmeton Indeksonline.

Në këtë raport thuhet se në regjistrat me 31.12.2018 janë regjistruar në kontabilitet dy humbje sipas matjes me mjetin matës në sasi prej 3,656 litra apo 2,888€ dhe humbja e dytë në bazë të komisionit ishte në sasi prej 6,950 litra apo 5,490€. Shuma totale e humbjes sipas regjistrit kontabël në fund të vitit ishte 10,606 litra apo 8 mijë e 378 euro.

Për të hetuar këto humbje të madhe të naftës, Kryeshefi Ekzekutiv në fund të vitit 2018, nxjerri vendim për formimin e komisionit në përbërje prej pesë (5) anëtarësh lidhur me hetimin e mungesës së naftës në depo.

Sipas vlerësimit dhe konstatimit të komisionit defektet ishin te pajisjet e Trainkos-it, pasi që pajisjet e matjes së naftës nuk kanë bërë regjistrimin në mënyrë të saktë, nga se është vërejtur se furnizimi me naftë nga pompa bëhet duke regjistruar më pak furnizim.

Mirëpo, Departamenti i administratës kishte pohuar se vëzhgimi me kamera në depo të naftës nuk ka funksionuar në kohën e konstatimit të mungesës dhe kjo humbje ka mbetur si e pazbuluar, transmeton Indeksonline.

Kjo ka ndodhur për shkak të mungesës së kontrolleve të duhura ndaj furnizimeve, stokut dhe shpenzimeve të naftës.

Sipas ZKA-së, mungesa e kontrolleve adekuate në pranimin e naftës duke përdorur mjete të pasigurta dhe duke mos u siguruar lidhur me funksionimin e kamerave gjatë kohës së verifikimit të sasisë së pranuar, paraqet rrezik që Kompania të dëmtohet financiarisht duke paguar për mallin të cilin nuk e ka pranuar.

Kryesuesi i Bordit duhet të siguroi së janë marrë masat e nevojshme që mjetet e matjes së naftës të jenë të kalibruara dhe bëjnë matje të saktë, si dhe vëzhgimi i kamerave të jetë funksional gjatë gjithë kohës. Gjithashtu në periudha më të shpeshta të bëhen matjet e sasive në rezervar të naftës dhe të bëhet harmonizimi i shënimeve të kontabilitetit me gjendjen reale në mënyrë që të identifikohen dhe eliminohen me kohë humbjet e mundshme.