Shkarkohet kryetari i Kuvendit të Malit të Zi

Tri ditë pas votimit të mocionit të mosbesimit ndaj Qeverisë së Malit të Zi, Kuvendi i këtij shteti shkarkoi edhe kryetarin e këtij institucioni, Aleksa Beçiq.

Për shkarkimin e tij votuan 43 deputetë, ndërsa kundër ishin 36.

Deputetët e opozitës, të udhëhequr nga Partia Demokratike e Socialistëve (DPS) e presidentit aktual të Malit të Zi, Millo Gjukanoviq, votuan pro shkarkimit, ashtu si edhe deputetët e partive të koalicionit të deritashëm, Lëvizja Qytetare URA dhe Civis.

Kundër votuan deputetët nga partia e Beçiqit, Demokratët, nga Fronti Demokratik pro-serb dhe nga disa parti më të vogla.

Nismën për shkarkimin e tij e nënshkruan më herët deputetë të DPS-së, të partive të socialdemokratëve, të Partisë Boshnjake dhe të Koalicionit Shqiptar “Njëzëri”.

Në shpjegim u tha se Kuvendi, për shkak të mungesës së dialogut esencial, “nuk ka çuar në përshpejtimin e rrugës evropiane të Malit të Zi”, sepse Beçiq, “funksionin e tij e ka kryer në interes të promovimit partiak dhe personal, e jo në interes të shtetit”.

Por, ata kishin nevojë edhe për mbështetjen e URA-s, e cila udhëhiqet nga zëvendëskryeministri i Qeverisë tashmë të shkarkuar, Dritan Abazoviq.

Shkarkimi i Beçiqit vjen pasi Kuvendi i Malit të Zi votoi për rrëzimin e Qeverisë së kryeministrit Zdravko Krivokapiq, më 4 shkurt.

Koalicioni prej tre anëtarësh – Fronti Demokratik, Demokratët dhe Lëvizja Qytetare URA – ka qeverisur Malin e Zi qysh në fund të vitit 2020.

Në zgjedhjet e gushtit të atij viti, këto parti kanë fituar një shumicë të ngushtë, duke rrëzuar Partinë Demokratike të Socialistëve, e cila ka qeverisur Malin e Zi për rreth 30 vjeet.

Por, prejse është formuar në dhjetor të 2020-ës, kabineti i Krivokapiqit është përshkuar me grindje midis partnerëve të koalicionit – atyre pro-serbë dhe pro-evropianë – gjë që ka çuar në tkurrjen e mbështetjes publike për të.

Mocioni i mosbesimit ndaj Qeverisë është iniciuar nga URA.

Abazoviq ka thënë se pas rënies së Qeverisë së Krivokapiqit, do të fillojnë bisedimet për formimin e një pushteti të ri ekzekutiv.

Ai ka thënë se ka disa opsione për zgjidhjen e situatës, përfshirë edhe zgjedhjet e parakohshme.

Deputeti i Demokratëve, Boris Bogdanoviq, paralajmëroi në fillim të seancës për rrëzimin e Beçiqit se nëse ai shkarkohet, kjo parti “do ta ngrejë të gjithë Malin e Zi në këmbë”.

“Ai që voton për këtë, voton për koalicion me Partinë Demokratike të Socialistëve. Ne nuk do ta lejojmë këtë. Ata nuk kanë ku të shkojnë. Ne kemi një zgjedhje dhe kjo është rruga. Nëse shkarkimi ndodh, të gjithë në protestë të mërkurën, më 9 shkurt”, tha Bogdanoviq.

Policia malazeze konfirmoi të hënën për Radion Evropa e Lirë se është duke hetuar disa thirrje për shkaktim të kaosit në Mal të Zi, të bëra përmes aplikacionit të mesazheve Telegram.

Sipas policisë, mesazhet e tilla në Telegram janë shpërndarë nga një grup i quajtur “Rebelimi është gjendje shpirtërore”.

Mesazhet që bëjnë thirrje për “gjak e thikë” janë shpërndarë edhe në rrjete të tjera sociale më 6 shkurt.

Grupi ka mbi 17.4 mijë anëtarë, kryesisht nga Serbia, Republika Sërpska e Bosnje e Hercegovinës dhe Mali i Zi.

Në postimet e tyre, anëtarët e grupit identifikohen me Kishën Ortodokse Serbe, lavdërojnë kriminelin serb të luftës, Ratko Mlladiq, promovojnë ideologji çetnike dhe pretendojnë se “serbët në Mal të Zi janë të rrezikuar”, raporton Shërbimi i Ballkanit i Radios Evropa e Lirë.

Pas shpërndarjes së postimeve të tyre në internet, grupi ka deklaruar se “nuk ka bërë thirrje për derdhjen e gjakut vëllazëror”, porse “populli është shtypur brutalisht, arrestuar dhe persekutuar për tridhjetë vjet dhe nuk mundet më”.

Prokuroria kompetente e shtetit të Malit të Zi është njoftuar në lidhje me këtë ngjarje, por ajo nuk është deklaruar ende për të.

Në Mal të Zi, sulmet, kërcënimet dhe gjuha e urrejtjes janë bërë më të shpeshta në këtë vend që nga ndërrimi i pushtetit në vitin 2020. /REL