Shkatërrohet laboratori i tretë i drogës në veri

Ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, ka thënë se është shkatërruar edhe laboratori i tretë i drogës brenda ditës së sotme në komunat e veriut.

Ministri i brendshëm, në një status në Facebook, ka thënë se vlera e pajisjeve të konfiskuara arrin vlerën e 2.3 milionë eurove. Ai ka shtuar se profili i personave që ushtrojnë këtë veprimtari kriminale në veri është paramilitarë dhe narkotrafikantë.

“Shkatërrohet dhe laboratori i tretë i drogës Vlera e llogaritur e sasisë së lëndës narkotike dhe paisjeve është rreth 2.3 milionë euro. Profili i atyre që e ushtrojnë këtë veprimtari kriminale në veri të vendit tonë është i qartë: Paramilitarë e narkodilera. Këta po i mbron, mbështet dhe kur ju duhet i orkestron Presidenti i Serbisë Vuçiq dhe pas tij ministri i mbrojtjes Vuçeviq dhe Petkoviq”, tha Svecla në një status në Facebook.

Svecla po ashtu thotë se ata janë personat e që ishin përgjegjës për vënien e barrikadave vitin e kaluar dhe se ata kishin për qëllim të mbronin aktivitetin e tyre kriminale.

“Siç kemi thënë barrikadat e vendosura gjatë muajit dhjetor në katër komunat e veriut të vendit në të vërtetë kanë mbrojtur drogën e jo qytetarët. Kanë mbrojtur grupet e krimit të organizuar dhe jo burrat e gratë të komunitetit serb shtetas të Kosovës. Ato kanë mbrojtur vetëm dhe vetëm fijet e krimit që dërgojnë në ndërtesën presidenciale të Serbisë, aty nga ku Vuciq dirigjon klanet kriminale për paratë e trafikut me të cilat më pas sulmon shtetin tonë në emër të të drejtave të qytetarëve”, tha Svecla.