Shkupi kryeson në listën e qyteteve më të ndotura në botë

Sipas të dhënave të fundit të shërbimit botëror që monitoron ndotjen e ajrit “IQAir”, kryeqyteti i Maqedonisë së Veriut momentalisht është qyteti më i ndotur në botë, transmeton Anadolu Agency (AA).

Treguesi i grimcave të dëmshme PM10 në ajrin e kryeqytetit Shkup është 194. Në listën e qyteteve më të ndotura në botë, pas Shkupit renditen qytetet Lahore në Pakistan, Ulaanbaatar në Mongoli, si dhe Kolkata dhe Delhi në Indi.

Të dhënat nga stacionet matëse të cilësisë së ajrit të Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor të Maqedonisë së Veriut tregojnë se Shkupi dhe Kavadarci mëngjesin e sotëm janë qytetet më të ndotura në vend.

Këto dy qytete kanë pamje të ngjyrës vjollce, gjë që tregon ajrin shumë të ndotur. I ndotur në shkallë të lartë është edhe ajri në Kumanovë, Tetovë, Gostivar dhe Kërçovë.

Strumica, Gjevgjelia, Koçani dhe Velesi kanë ajër mesatarisht të ndotur.

Ditëve të fundit, ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor i Maqedonisë së Veriut, Naser Nuredini, tha se derisa të ndryshohet mënyra e ngrohjes nuk do të ketë zgjidhje afatgjate për ndotjen e ajrit.