Shoferja e parë në Gjakovë

Udhëtimi i përditshëm në kushte të vështira atmosferike, pesë dekada më parë, kishte detyruar mësimdhënësen Halise MuhaxhiriIstrefi që të ndërmarrë një veprim jo shumë të zakonshëm për atë kohë.

Nga paga e saj kishte kursyer të holla për ndjekjen e orëve të duhura për dhënien e provimit për patentë-shofer dhe blerjen e një veture.

Me arritjen e këtyre synimeve ishte bërë njëra prej shofereve të para në qytetin e Gjakovës.

Prej asaj kohe ka vozitur vetura të ndryshme, kryesisht në Prizren ku edhe ka krijuar familjen, dhe asnjëherë nuk është përfshirë në aksident trafiku.

Gjysmë shekulli shofere

“Më 20 maj janë bërë rrafsh 50 vjet që e kam kryer provimin për marrjen e patentë shoferit”, tregon veterania e arsimit, Halise Muhaxhiri-Istrefi, që njihet me nofkën “Lise”.

Ajo thekson se në vitin 1966 kishte kryer normalen, dhe se ishte punësuar në arsim. “Unë isha mësimdhënëse në Rugovë të Hasit.

Duhej të udhëtonim përditë, e në vjeshtë e dimër kur binte shi duhej me hi me këmbë nëpër ujë. U pata lodhë e mërzitë prej asaj rruge, sepse këmbët na lageshin.

Atëherë vendosa me ble një veturë. Gjatë punës trevjeçare pata mbledhur para dhe e bleva një veturë që njihet si ‘Fiqë’. Me vëllain tim patëm shkuar për ta marrë në Kragujevc. Brenda 20 ditëve e pata marrë edhe patentë shoferin”, thotë MuhaxhiriIstrefi.

Ajo pohon se me këtë veprim pos vetes, ia kishte lehtësuar udhëtimin edhe tri kolegeve të tjera të punës me të cilat ka udhëtuar bashkë.

Ndërsa për shkollën në Rugovë të Hasit ka vetëm fjalë miradie, duke theksuar se kolektivi ka qenë mjaft i mirë dhe se puna është zhvilluar asokohe në ndërtesë të re shkollore. Megjithëkëtë, kujton se si pesë dekada më parë ka pasur pak vetura në trafik dhe numër tejet të vogël të grave në timon, shkruan Koha Ditore në numrin festiv.