Shteti nuk ua paguan shtesat e premtuara, sindikatat dalin me “ultimatum” dhe paralajmërime sindikale

Mbi 80 mijë punonjësve të sektorit publik të hënën u janë ekzekutuar pagat.

Por në këto paga nuk janë llogaritur edhe shtesat për rrezikshmërinë në punë.

Ministria e Punëve të Brendshme dhe Ministria e Financave kanë thënë se shtesat e muajit shkurt do të paguhen në mënyrë retroaktive në pagën e muajit mars.

Për këtë, kanë reaguar disa nga sindikatat e pakënaqura.

Sindikata e Policisë i jep ultimatum Qeverisë për ekzekutimin e shtesave deri në qershor

Nënkryetari i Sindikatës së Policisë, Avdi Hoti, tha se për ekzekutimin e shtesave ju kanë dhënë ultimatum Qeverisë deri në muajin qershor.

Hoti tha për Front Online se Ministria e Financave nuk po diskuton asgjë lidhur me këto shtesa.

“Ne si sindikatë jemi duke pritur reflektim prej Qeverisë nëse nuk ka deri në fund të muajit, ne do të marrim ndonjë veprim sindikalë. Dy komunikatat e MF-së kanë qenë që do të dalin shtesat për rrezikshmëri, por në komunikatën e fundit nuk është përmendur rrezikshmëria. Grupi punues brenda policisë e ka bërë punën e vet i kanë dërguar listat, por ata nuk po e bëjnë diskutimin për këto shtesa”, u shpreh Hoti për Front Online.

Nënkryetari Hoti thotë se nga pakënaqësitë që kanë policët, dorëheqje nga puna nuk kanë të ndalur.

“Pakënaqësia tek policët është e madhe, dhe dje kemi pasur një dorëheqje në stacionin e Lipjanit i cili ka lajmëruar daljen nga puna se e ka parë që vetëm 200 euro i ka dalë paga dhe nuk është ndarë i kënaqur, ndërsa javën e kaluar 6 dorëheqje në shkollën e policisë”, thotë Hoti.

Kryesindikalisti i Zjarrfikësve: Do t’i drejtohemi zyrtarisht institucioneve nëse nuk dalin shtesat në muajin qershor

Qeveria dhe Ministria e Financave kritika ka marr për shtesat e rrezikshmërisë në punë edhe nga zjarrfikësit.

Kryetari i Sindikatës së Zjarrfikësve, Muharrem Beka, ka thënë se MF-ja çdo muaj po premton për shtesat, por ekzekutimi po mungon.

Beka thotë se qasja e institucioneve karshi zjarrfikësve, e dëmshme për këta të fundit.

“Ky vendim është dashur të përfundoj prej muajit shkurt por nuk po ndodh as këtë muaj. Ministria po premton çdo muaj që me pagën e radhës dalin edhe shtesat për rrezikshmërinë. Kjo qasje nuk është e duhur nga Qeveria e MF-ja po dëmtohen zjarrfikësit, pagat janë shumë të ulëta për koston e jetesës”.

“Zjarrfikëseve ju rrezikohet jeta, shëndeti edhe nuk paguhen për këtë. Të gjithë zjarrfikësit janë të pakënaqur me kushtet e punës. Ne si sindikatë do t’i drejtohemi zyrtarisht institucioneve përkatëse nëse nuk dalin shtesat në muajin tjetër”, tha Beka për Front Online.

Mursel Zymberi: Kurti i ka mbyllë të gjithë kodet buxhetore dhe i ka shtetëzuar sindikatat

Edhe Shërbyesit Civil kanë shprehur pakënaqësi për mos ekzekutimin e shtesave për rrezikshmërinë në punë.

Mursel Zymberi, kreu i Shërbyesve Civil po thotë se nuk do të reagojnë për shtesat.

Ai thotë se nuk presin as në muajin qershor të ketë ekzekutime të shtesave nga Qeveria.

“Kurti i ka mbyllë të gjithë kodet buxhetore dhe i ka shtetëzuar sindikatat. Ne si Sindikatë e Shërbyesve Civil nuk kemi çfarë të veprojmë pasi këtë muaj nuk ka të hyra dhe nuk ka mundësi me mbajtë aktivitet. Nuk shpresojmë as për muajin tjetër që do të ekzekutohen shtesat se nuk ka ndonjë lëvizje pozitive nga Qeveria”, u shpreh Zymberi për Front Online.

Ligji për pagat ka hyrë në fuqi më 5 shkurt dhe është përcaktuar koeficienti në vlerë prej 105 eurosh për vitin 2023. Ndërsa me 7 prill i njëjti ligj është dërguar në Kushtetuese nga avokati i Popullit me kërkesë për vlerësimin e përputhshmërisë së ligjit me Kushtetutën.