Shtohen rastet e falsifikimit me para, gjashtë raportohen veç në 24 orët e fundit

Rastet e falsifikimeve me para janë shtuar kohëve të fundit në Kosovë, me tri raste të raportuara vetëm në 24 orët e fundit në Prishtinë, dy në Gjakovë dhe një në Podujevë.

Në Prishtinë, një punëtor në market ka raportuar se një i dyshuar ka bërë pagesën me një kartëmonedhë prej 100 eurosh, e cila dyshohet të jetë e falsifikuar. Rast i njëjtë ka ndodhur edhe në Podujevë.

Një ankues tjetër ka raportuar se në katër pika të ndryshme të marketit ku ai është menaxher, katër persona të dyshuar kanë blerë gjësende dhe pagesën e kanë bërë me pesë kartëmonedha prej 100 eurosh, të cila dyshohet të jenë të falsifikuara, sipas raportit të policisë, transmeton Klankosova.tv.

Ndërkohë, një zyrtare në filialin bankar ka raportuar se gjatë numërimit të një shume parash ka hasur në një kartëmonedhë prej 100 eurosh që dyshohet se mund të jetë e falsifikuar. Dy raste të njëjta kanë ndodhur edhe në Gjakovë.