Shtyhen datat për Festivalin e Fëmijëve nga Diaspora

Ministria e Diasporës dhe investimeve Strategjike ka shtyrë afatin për aplikim në Festivalin e Fëmijëve nga Diaspora, duke ndryshuar edhe datat e mbajtjes së Festivalit.

Festivali do të mbahet në datat 27-29 korrik 2019, përcjell albinfo.ch.

Gjatë tri ditëve, sa do të zgjasë festivali, fëmijët nga diaspora do të kenë mundësi që talentin e tyre ta shpalosin në fusha të ndryshme si në art, muzikë, vallëzim, folklor e këndim, njofton MDIS.

Në ditën e parë, festivali organizohet në bibliotekën “Hivzi Sylejmani” në Prishtinë, në ditën e dytë, mbahet në sheshin “Zahir Pajaziti” në Prishtinë (koncert me këngë e valle). Ndërsa në ditën e tretë, në kuadër të festivalit, organizohet një ekskursion njëditor me fëmijët nga diaspora.

MDIS ka ftuar mësuesit dhe përfaqësuesit e shoqatave ta bëjnë përzgjedhjen e fëmijëve për pjesëmarrje në këtë festival.