Si dhe kush e kërcënoi sot Shpend Ahmetin, flasin nga Komuna dhe Policia

I pari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti gjatë ditës së hënë është kërcënuar nga një person. Rastin e kërcënimit e kanë konfirmuar tani edhe nga komuna dhe Policia e Kosovës.

Se ky kërcënim po konsiderohet si serioz, e vërtetojnë edhe deklaratat e zyrtarëve institucional që pohojnë se njësitet policore po merren me rastin.

Gjithë ky rast dyshohet se ka ardhur pasi i pari i Prishtinës e ka anuluar takimin e planifikuar me një person në momentet e fundit.

E kontaktuar nga FaktePlus, zëdhënësja e komunës së Prishtinës, Miranda Mullafazliu nuk ka dashur të jap shumë detaje, vetëm konfirmoi se me rastin janë duke u marrë njësitet policore.

“Kanë qenë policia dhe janë duke u marrë me rastin. Për më shumë drejtohuni te ta, nuk kemi çfarë të themi ne”, tha shkurt Mullafazliu.

Agjencia e Lajmeve FaktePlus ka kontaktuar edhe Shpend Ahmetin, por ky i fundit nuk i është përgjigjur telefonatës.

E zyrtarja për informim në Policinë e Kosovës, Flora Ahmeti, ka bërë të ditur se me rastin janë duke u marrë njësitet kompetente.

“Sot rreth orës 11:00, në stacionin policor Qendra është iniciuar një rast kanosje ndaj personit zyrtar. Rasti ka ndodhur në rrugën “UÇK” në Prishtinë, saktësisht në objektin e Komunës. Me rastin po merren njësitet kompetente”, ka treguar Ahmeti.

E gjithë kjo ka ardhur pasi i pari i Prishtinës e ka anuluar një takim të planifikuar me një person në momentet e fundit.

Kjo duket se ka hidhëruar personin në fjalë, i cili pastaj edhe ka kërcënuar kryetarin përmes internetit.

“Një person fillimisht kishte lënë termin me kryetarin Shpend Ahmeti, ndërsa më pastaj ky i fundit nuk e ka pranuar dhe si pasojë i dyshimti e ka kanosur përmes internetit…”, ka thënë një zyrtar në kushte anonimiteti brenda komunës.