Si do të mund të zgjidhej mosmarrëveshja VV-LDK për presidentin, flet zyrtarja e LDK-së

Nënkryetarja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Vjosa Osmani, ka folur për negociatat mes partisë së saj dhe Lëvizjes Vetëvendosje në përpjekje për arritjen e një marrëveshjeje për bashkëqeverisjen e vendit, të cilat janë bllokuar nga kushti i LDK’së që të jetë ajo që do ta propozojë emrin për president të ardhshëm të vendit.

Osmani ka thënë në emisionin “Pressing”, në televizionin T7, se “ia kemi bërë të qartë Vetëvendosjes që ne e dimë, që ju nuk mund të garantoni se si do të votojnë deputetët tuaj në votim të fshehtë”.

“S’mund të na garantoni që presidenti do të zgjidhet, se s’varet prej juve kjo”, është shprehur ajo.

E pyetur në studio se ku qëndron pengesa, ajo është përgjigjur: “Nuk ka kurrfarë pengese, ka keqkuptim rreth formulimit”.

“Qoftë një formulim që e shtyn më vonë, qoftë një formulim që palët s’po bëjnë kompromis të madh”, ka deklaruar Osmani.

Ajo ka thënë se partitë kanë mundur të merren vesh që ta shtynin për pesë muaj çështjen e presidentit, për të mos bllokuar arritjen e një marrëveshjeje.