Si t’i ruani fëmijët nga trauma pas një tërmeti?

Tërmetet në Shqipëri u përjetuan nga të gjithë ne, por pasojat mendore që la tek njerëzit do të ndihen pas disa javësh thonë psikiatrët.

”Frika është njerëzore deri në kufirin kur situata është anormale. Ne të papërgatitur për këtë situatë anormale do të përdorim të gjithë mekanizmat tanë të reagimit, pra askush nga ne nuk duhet të shqetësohet për çfarë deri tani kemi përjetuar. Pothuaj gjysma e personave që kanë vuajtur stresin pastraumatik, fillojnë të shfaqin shenja të çrregullimit”.

”Ne aktualisht jemi në stres akut normal. Kur kalojnë 4 javë atëherë rrezikojmë që ne të bëjmë çrregullim të stresit akut pas traumës. Pas 4 javëve tek njeriu nuk shkrihet gjendja traumatike si çdo gjë që ka kurbën e vet, bie edhe intensiteti i përjetimit të traumës dhe parashikohet që shumica jonë të kalojë në normalitet”, është shprehur Arjana Rreli, psikiatre.

Kjo gjendje siç pati sqaruar ajo për lapsi.al, shfaqet me disa simptoma që janë shqetësuese.

”Gjumë i shqetësuar, personi ka vizione të traumës dhe përjeton atë moment ose fleshback-et, përsëriten e janë të pranishme, jemi më nervozë se më parë, bëhemi indiferentë, kemi humor të luhatur. Të gjitha këto janë sinjale alarmi, se kemi çrregullime të stresit akut pas traumës. Pra kemi çrregullim të mbarëvajtjes së sistemit tonë nervor, dhe duhet kërkuar ndihma e profesionistëve”, shtoi ajo.

Gjithë çështja tani është si të mbrojmë veten dhe kontigjentet më të prekura nga trauma.