S’ka kuorum për shfuqizimin e vendimit të shuarjes së Task-Forcës Antikorrupsion

Në mungesë të kuorumit ka dështuar të hidhet në votim rezoluta e propozuar nga Vetëvendosja që kërkoi të shfuqizojë vendimin e kryeministrit Hoti për shuarjen e Task-Forcës Antikorrupsion në Policinë e Kosovës.

Në fund të seancës në sallë ishin vetëm deputetët e Vetëvendosjes.

Iniciuesja e interpelancës, Fatmire Mulhaxha-Kollçaku, tha se me këtë vendim, Qeveria ka treguar se po tenton të pengojë luftimin e korrupsionit.

“Po e ritheksoj rezolutën që e kemi propozuar derisa nuk dilni me veprime konkrete dhe mekanizma konkretë për vazhdimin e luftës kundër krimit dhe korrupsionit të organizuar institucional dhe unë e di se këtë do ta bëjë vetëm qeveria e re, qeveria e cila do të jetë kredibile dhe do të dalë nga vota e qytetarëve dhe ajo do të jetë Qeveria Kurti 2”, tha ajo.