S’ka shtesa për policët as këtë muaj/ Kryetari i Sindikatës: Skandaloze, do t’i japim ultimatum Qeverisë

Është muaji i 5-të që zyrtarët policorë nuk kanë marrë shtesat për rrezikshmërinë.

Megjithëse premtimet nga ekzekutivi i vendit, shtesat nuk kanë dalë në llogaritë e tyre as për muajin qershor.

I zhgënjyer po shprehet kryetari i Sindikatës së Policisë së Kosovës, Imer Zeqiri.

Ai po i quan skandaloze veprimet e Qeverisë derisa ka paralajmëruar edhe veprime sindikale.

Zeqiri tha për Front Online se pakënaqësitë janë shumë të mëdha.

“Jo nuk ka. Domethënë është muaji i pestë që shtesat për rrezikshmëri nuk ekzekutohen. Jemi shumë të dëshpëruar. Kjo për neve nuk ka asnjë kuptim, është e palogjikshme, dhe as nuk është dashur me u vënë në pikëpyetje shtesat për rrezikshmëri, dhe me të vërtetë është skandaloze dhe pakënaqësitë janë jashtëzakonisht të mëdha”, ka thënë Zeqiri për Front Online.

Zeqiri ka thënë se kësaj çështje tanimë i ka humbur edhe kuptimi.

I vetmi konfirmim që ai thotë të kenë marrë nga Qeveria është se për këtë punë është formuar edhe një Komision.

“Kurrfarë konfirmimi nuk kemi marrë nga institucionet, krejt në heshtje janë. Vetëm se kanë deklaruar se një komision qeveritar është duke punuar për rrezikshmëri, nuk ka vendos ende asgjë, nuk kanë vendos as për shumën, e as për mënyrën e pagesës”, thotë ai për Front Online.

Zeqiri thotë se javën që vjen do të dalin edhe më një ultimatum për Qeverinë.

Përveç kërkesës për pagesën e shtesave të rrezikshmërisë, ata do të kenë edhe disa kërkesa tjera.

“Një përgjigje mundeni me marr ndoshta javën e ardhshme për një hap sindikal, për një kërkesë që do të thotë do të jetë afat i caktuar për qeveritarët, për me i bërë jo vetëm këtë por kemi edhe kërkesa të tjera shtesë”, tha ai për Front Online.

Sindikata e policisë po kërkon vazhdimisht nga ekzekutivi realizimin e shtesave të rrezikshmërisë për të gjithë zyrtarët policorë, pa përjashtim.

Ministria e Financave dhe ajo e Punëve të Brendshme kanë deklaruar se shtesat do të paguhen në mënyrë retroaktive, mirëpo, policëve nuk u janë paguar shtesat e rrezikshmërisë.