Skenarët e kualifikimit, tri pikët për historinë

Kombëtarja shqiptare luan sot në orën 18:00 përballë Moldavisë një takim ku të besuarit e Silvinjos kanë “match ball”-in e parë për ëndrrën e madhe “Gjermani 2024”.

Siç dihet kuqezinjve u duhet vetëm një pikë në këtë përballje për të hapur shampanjën dhe për të shpërthyer në festë.

Nëse do të ndodhte kështu atëherë Silvinjos & Co do të mbyllnin llogaritë e kualifikimit, por jo ato të vendit të parë.

Për të mbyllur para të gjithave këtë grup atëherë sot në mbrëmje do të duhen pikët e plota ashtu si edhe në takimin e fundit përballë Ishujve Faroe.

Kjo do të ishte një arritje e madhe për të besuarit e Silvinjos, të cilët do të futeshin në histori pasi kurrë më parë Shqipëria nuk ka mbyllur kaq mirë një fushatë eliminatoresh.