Skënderaj, i frustruar me “injorimin” e qeverisë për ujin

Nuk bëhet politikë me ujë. Në këso konstatimi ka rënë kryetari i Skenderajt, Fadil Nura, pasi qeveria në Prishtinë nuk e futi në buxhetin e vitit të ardhshëm projektin e ujësjellësit Shipol-Brus.

Zgjerimi i kapaciteteve të furnizimit, sipas Nurës, është jetik për këtë bashkësi lokale, pasi krijon efekt zinxhiror.

“Gjithë ky gyp që është vendosur dhe do të vendoset në të ardhmen është i vdekur, përderisa nuk implementohet ky projekt”, thotë Nura, njofton Klan Kosova.

Qytetarët thonë se janë ata që u dëmtuan nga kjo mospërkrahje.

Në fakt, i njëjti projekt ka qenë i përfshirë në buxhetet paraprake, por nuk u finalizua për shkak të ankesave në Organin Shqyrtues të Prokurimit.

Mirëpo, Vetëvendosje në Skenderaj në këtë rast e sheh fajtor pushtetin lokal.

“Gjithsesi me u kry si projekt, por fillimisht me këqyrë çka kanë ba dhe me u ndalë vjedhja, sepse mundesh me shti në listë dhe me thanë që është kry si projekti në Marinë, por nuk është kryer askund”, shprehet Hysni Mehani nga qendra e VV-së në Skenderaj.

Në anën tjetër, komuna e udhëhequr nga Partia Demokratike shprehet se do të interesohet që projektin në fjalë ta implementojë përmes rrugëve tjera, përmes donacioneve apo bashkëpunimeve të jashtme.