Borrell: Të implementohet propozimi i BE-së pa vonesa të mëtejme

Shefi i diplomacisë së Bashkimit Evropian, Josep Borrell, tha se blloku evropian kërkon që Kosova dhe Serbia “pa vonesa” të nisin zbatimin e Marrëveshjes drejt normalizimit të raporteve.

“Ajo se çfarë duam ne, çfarë kërkojmë është nisja e zbatimit bazuar në propozimin tonë, pa vonesa të mëtejme, dhe kjo përfshin edhe obligimin për të dyja palët që të zbatojnë plotësisht marrëveshjet e arritura më herët në dialog”, tha Borrell.

Ai këto komente i bëri gjatë një konference për media pas takimit joformal në Nju Jork me ministrat e Jashtëm të Bashkimit Evropian. Në këtë takim ai ka informuar ministrat për raundin e fundit të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, që përfundojë pa ndonjë rezultat.

“Ata shprehën shqetësim me mungesën e zbatimit të zotimeve nga palët sa i përket Marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit. Normalizimi është proces, është rrugë dhe është zbatim”, theksoi Borrell.

Për Marrëveshjen Bazë dhe Aneksin për zbatimin e saj, Kosova dhe Serbia janë pajtuar më herët gjatë këtij viti. Por, blloku evropian ka thënë se marrëveshja nuk ka nisur të zbatohet.

Borrell tha se kjo marrëveshje është e detyrueshme për palët. Marrëveshja, prej 11 nenesh, nuk përfshin njohjen reciproke për të cilën insiston Kosova, por kërkon nga Kosova dhe Serbia që t’i pranojnë dokumentet dhe simbolet e njëra-tjetrës, përfshirë: pasaportat, diplomat dhe targat. Po ashtu palët zotohen se do të zbatojnë marrëveshjet e arritura më herët në procesin e dialogut.

Pas takimit më 14 shtator, nga BE-ja thanë se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, nuk ka qenë i gatshëm të ecë përpara, ndryshe nga presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i cili “e ka pranuar propozimin e tyre” për zbatimin e Marrëveshjes bazë për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi.

Borrell pas takimit të 14 shtatorit deklaroi se Kurti kishte këmbëngulur që fillimisht të formalizohet njohja de facto e Kosovës nga Serbia.

Kurti në Bruksel tha se “kushtëzimi i Serbisë” për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe “është shndërruar në qëndrim të emisarëve të BE-së”.

Kryeministri kosovar tha se në takim kishte paraqitur një plan të tij për zbatimin e marrëveshjes, por shtoi se ky propozim u refuzua nga blloku evropian dhe Beogradi.

Më 18 shtator, Kurti tha se i dërguari i posaçëm i BE-së, Mirosllav Lajçak, gjatë takimit në Bruksel “u pozicionua” kundër Kosovës, duke e akuzuar atë se e ka “deformuar procesin duke mos u përqendruar në zbatimin e plotë dhe të hollësishëm, të menjëhershëm dhe të pakushtëzuar të Marrëveshjes Bazike dhe Aneksit të saj”.

Raundi i dialogut në nivel të lartë ishte takimi i parë mes Kurtit dhe Vuçiqit që kur nisën tensionet në veri të Kosovës në fund të majit.

Serbët lokalë po kundërshtojnë kryetarët e rinj shqiptarë të komunave, që dolën nga zgjedhjet e prillit – votime të bojkotuara nga partitë dhe popullata serbe.

SHBA-ja dhe BE-ja kanë kërkuar nga Prishtina dhe Beogradi të ulin tensionet dhe që të mbahen zgjedhje të reja. Kosova ka thënë se ka ulur praninë policore në veri dhe ka ndërmarrë hapa ligjorë që do të mundësonin largimin e kryetarëve përmes peticionit. BE ka mirëpritur këto hapa, por ka thënë se duhet bërë më shumë.