Smith s’i beson aftësive të Policisë së Kosovës, garanca e ofruar nuk i duket e mjaftueshme dhe bindëse

Kryeprokurori i Speciales, Jack Smith nuk po bindet se Policia e Kosovës ka aftësi që të monitorojë dhe garantojë lirimin me kusht të krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës të cilët po mbahen të burgosur në Hagë.

Smith në një parashtresë të dërguar në gjykatë, ka kërkuar vazhdimin e paraburgimit, duke aluduar se Policia e Kosovës nuk ka dhënë sërish garancë të mjaftueshme për lirimin e krerëve të UÇK-së.

“Garancitë e fundit të PK-së mbeten të pamjaftueshme dhe si të tilla nuk përbëjnë ndryshim të rrethanave”, ka thënë Smith në parashtresat e tij.

Madje, Smith ka thënë se edhe sikur kushtet e lirimit të ishin të menaxhueshme, Kosova nuk ka dëshirë t’i zbatojë ato.

“Në dritën e rreziqeve të larta që ekzistojnë dhe rrethanave specifike të të akuzuarit, gjyqtari i procedurës paraprake duhet të përcaktojë se kushtet e propozuara janë të pamjaftueshme për të justifikuar lirimin dhe, edhe sikur të ishin, Kosova nuk dëshiron dhe nuk është në gjendje të t’i zbatojë ato”, ka thënë ai.

Sipas Smith, propozimi i Policisë që banesa/shtëpia e një të akuzuari të monitorohet nga një oficer dhe një kamerë, nuk përbën shmangie nga rreziku që ai pretendon.