Sot seanca e Kuvendit për Trustin

Sot do të vazhdojë seanca e Kuvendit të Kosovës, e mbetur përgjysmë nga dita e djeshme.

Kjo meqë kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, e kishte ndërprerë vazhdimin e saj, për shkak të mungesës së deputetëve në sallë.

“Nuk ka kuorum për vazhdimin e seancës, shihemi të enjten në ora 10:00”, tha dje Konjufca.

Kjo ndërprerje bëri që të përplasen pozitë e opozitë. Partia Demokratike e Kosovës (PDK) adresoi akuza ndaj Lëvizjes Vetëvendosje në pushtet për pamundësim të votimit të nismës ligjore për tërheqjen e 30 për qind të mjeteve nga Trusti, duke ndërprerë punimet e seancës parlamentare.

Ushtruesja e detyrës së shefes së Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila ka mohuar se ka ndërhyrë te kryeparlamentari Glauk Konjufca për ndërprerjen e seancës plenare.

Ajo në një konferencë për media, ka theksuar se seanca e sotme nuk është ndërprerë për shkak të bllokimit të shumicës.

Sipas saj, ajo çfarë ndodhi në seancë ishte humbja e kuorumit si rrjedhojë e mos pjesëmarrjes në votim të opozitës.