Spitali i Pejës del me raport për rastin e vdekjes së gjashtëvjeçarit

Udhëheqësia e Spitalit Rajonal të Pejës ka përmbledhur një raport me të gjeturat e spitalit në rastin e gjashtëvjeçarit me inicialet A.B. i cili pas trajtimeve që mori këtu, u nis për QKUK, ku edhe vdiq javën e kaluar.

Sipas këtij raporti, pacienti është paraqitur në Klinikën Pediatrike me datën 16 prill, në ora 00:00 me temperaturë 38, njofton Klan Kosova.

Mjeku Pediatër e ka diagnostikuar me bajame të skuqura dhe “Zjarmi me origjinë të panjohur”. Për këtë, i është përshkruar terapia dhe është liruar për në shtëpi.

14 orë pas kësaj vizite, fëmija është risjellë në spital, por në repartin e infektives me përcjellje dhe me vetëdije jo të plotë. Pas vizitës nga infektologu, fëmijës i janë bërë analizat të cilat kanë treguar se ai ka Meningjit.

Në raport thuhet se fëmijës i është ofruar terapi intensive. Më pas gjashtëvjeçari ka pasur kriza epileptike për të cilat ka pranuar terapi antikonvulzive, Phenobarbiton dhe diazepam.

Nga ora 16:00 deri në orën 18:00, fëmija nuk ka qenë në gjendje për tu transportuar, këtë vlerësim e ka dhënë anesteziologu dhe infektologu. Pas stabilizimit të gjendjes, pacienti është nisur për në QKUK në Klinikën infektive.

Ky raport hedh poshtë pretendimet e familjarëve se kanë pritur rreth dy orë për shofer të autoambulancës për ta nisur vogëlushin për në QKUK.

Raporti thotë se vetura ka qenë e gatshme për tu nisur menjëherë, por kanë pritur 10 minuta deri sa i është stabilizuar gjendja pacientit pasi kishte kriza epileptike. Për këtë, spitali thotë se ka dëshmi raportin e Protokollit të mirëmbajtjes së kujdestarisë, i cili mirëmbahet nga tekniku krye-kujdestar, për çka i është marrë deklaratë me shkrim edhe vozitësit.

Fare në fund, stafi që ka hartuar këtë raport, i përbërë prej :Drejtorit Ekzekutiv, Drejtorit infermieror, Shefit te repartit Infektiv,Shefit të repartit Pediatrik, mjekut pediatër , kryeinfermieres kujdestare dhe deklaratave te mjekut Infektolog , shefit të shërbimit teknik , Infermieres në detyrë dhe vozitësit të autoambulancës, thuhet se familjarët nuk kanë paraqitur asnjë ankesë me gojë e as me shkrim për trajtimin e vogëlushit në këtë spital.