Sqarohet Rizvanolli: Jam keqinterpretuar, qytetarët të kursejnë energjinë elektrike aq sa munden

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli gjatë raportimit në Komisionin parlamentar për Ekonomik duke sqaruar deklaratën e saj, ka kërkuar qytetarët që ta kursejnë energjinë elektrike për ngrohje nëse kanë mundësinë.

“Dua të bëj një sqarim, sepse jam keqinterpretuar. Por apeloj te qytetarët se nëse kanë mundësi të tjera për ngrohje, ta kursejnë energjinë elektrike aq sa munden”, theksoi ajo.

Ministrja Rizvanolli për gati dy orë ka raportuat në këtë Komision për krizën energjetike, të cilën e quajti të jashtëzakonshme.

Gjatë raportimit për krizën energjetike, në Komisionin për Ekonomi, ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli ka njoftuar se një njësi e Termocentralit “Kosova B” është nxjerrë nga prodhimi dhe siç theksoi ajo për 36 orët e ardhshme kjo njësi do jetë jashtë funksionit.

Kjo situatë në KEK, pritet të rëndojë edhe më shumë situatën e furnizimit me energji elektrike në vend.

Gjatë raportimit, Rizvanolli theksoi se gjendja me energji elektrike në vend është e jashtëzakonshme.

Kjo situatë, ajo tha se po ndodhë për shkak të çmimit të lartë të energjisë së importuar.

Rizvanolli tha se për dy muajt e fundit, nëntor dhe dhjetor janë shpenzuar më shumë se 12 milionë euro për import të rrymës.

Sa i përket rritjes së çmimeve, është detyrim i ZRRE-së të hap shqyrtimin e kërkesave për tarifat, në këtë kohë krize.

“Ne si qeveri do të bëjmë të pamundurën që mos të ketë rritje të çmimit të energjisë elektrike, por që s’mundemi me garantuar një gjë të tillë”, tha ajo.

Ndërsa, për pagesat e rrymës në veri dhe për mundësinë e krijimit të infrastrukturës për faturim në atë pjesë, ministrja Rizvanolli ka kërkuar të raportoj në Komision pa praninë e mediave.

Derisa kur u pyet nga deputetët e opozitës për rritjen e pagave në sektorin e publik dhe privat, Rizvanolli tha se rritja e pagave në sektorin publik është e pakuptimtë.